Aktualitet
Drejtësia gjeopolitike dhe dështimi i elitave tona
Nga Evarist Beqiri
Në vitin 2015, Kosova ishte në një situatë ku çdo lëvizje e përkeqësonte pozicionin e saj. Por ajo ishte e detyruar që të lëvizte. Mekanizmi për ngritjen e një tribunali nga OKB-ja ishte “Shpata e Demokleut” që u mbajt mbi kokën e lidershipit politik të Kosovës në vitet 2014-2015. Kjo do ta rikthente edhe më fort çështjen e Kosovës në tryezën e Këshillit të Sigurimit dhe do t’u jepte Rusisë dhe Kinës një rol të drejtpërdrejtë në arkitekturën e mekanizmit të drejtësisë.
Nëse Prishtina nuk do ta krijonte mekanizmin e kërkuar, Këshilli i Sigurimit kishte një alternativë reale për të ngritur një mekanizëm ad hoc. Kjo do ta vendoste procesin në një terren ku Rusia dhe Kina, si anëtare të përhershme me veto, do të kishin peshë të drejtpërdrejtë. Ky skenar u përdor nga SHBA dhe BE si presion i fortë mbi Prishtinën për të pranuar krijimin e mekanizmit.
Kosova e krijoi këtë mekanizëm përmes rendit të saj kushtetues dhe ligjor, mbi bazën e angazhimit të marrë me Bashkimin Evropian. Krijimi i Dhomave të Specializuara ishte lëvizja e detyruar për ta mbajtur këtë institucion larg duarve të Moskës. Kosova ruajti një formë të rëndësishme të pronësisë juridike mbi procesin, por e ndërkombëtarizoi në mënyrë të thellë ushtrimin e drejtësisë.
Sot, politika e Kosovës po përpiqet të kurojë me aspirinë një frakturë që vetë e shkaktoi në vitin 2015. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Kosova është një shtet i mbështetur fuqimisht nga jashtë. Siguria jonë varet nga KFOR-i dhe NATO. Shtetet e vogla nuk vendosin ultimatume për aleatët ekzistencialë, por kanë detyrimin që të negociojnë rregullat e lojës.
Kosova u detyrua të bëjë një kompromis institucional në 2015, për të shmangur një mekanizëm potencialisht më të pafavorshëm ndërkombëtar. Por ne nuk arritëm të ndërtonim kapacitetin shtetëror për ta përballuar pasojën e këtij kompromisi.
Megjithatë, në këtë ekuacion nuk mund të injorohet asimetria ulëritëse e kësaj drejtësie. Ndërkohë që krerët e një lëvizjeje guerile përballen me një gjykatë speciale, kemi një dështim monumental të bashkësisë ndërkombëtare për të detyruar Serbinë të mbajë përgjegjësi. Serbia ende nuk ka dhënë përgjigje të plotë për masakrat e kryera gjatë luftës, personat e zhdukur, dhunën seksuale dhe varret masive.
Ky është një “dështim moral dhe parimor” i Perëndimit, i cili ka vendosur gjeopolitikën mbi drejtësinë. Pikërisht sepse Perëndimi operon me interes, ne duhet të operojmë me shtet të fortë, jo me ankesa që “bota është e padrejtë” ndaj nesh.
Gjithsesi, fajësimi i ndërkombëtarëve është vetëm gjysma e së vërtetës dhe shpesh, alibia jonë më e preferuar. Ndërkombëtarët nuk ndërtojnë dosje vullnetarisht. Ndërkohë që Serbia ka investuar prej vitesh në lobim dhe propagandë ndërkombëtare për të relativizuar përgjegjësinë e saj, çfarë bëri shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë në këto 25 vite?
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, drejtësia nuk funksionon në vakum. Ajo funksionon brenda një ekuilibri fuqie. Gabimi ynë ka qenë të besojmë se aleanca është zëvendësim për shtetin. Nuk është. Gjeopolitika përcakton hapësirën. Institucionet përcaktojnë aftësinë për të vepruar brenda saj.
Për 25 vite, Prishtina dhe Tirana nuk arritën të ndërtonin një arkitekturë të qëndrueshme juridike, dokumentare dhe diplomatike për ndjekjen e krimeve të Serbisë. Sot, është hipokrizi që të akuzojmë botën se “nuk po e detyron Serbinë”, kur vetë klasa politike në Prishtinë dhe Tiranë dështoi që të krijonte një mekanizëm të mirëfilltë juridik, institucional dhe financiar kundër saj.
Institucionet dështuan sepse ato shpesh u drejtuan pikërisht nga politikanë që ishin më të interesuar të pasuroheshin apo të mbronin veten, sesa të ndërtonin një mbrojtje juridike kombëtare. Ne nuk mund t’u kërkojmë aleatëve të bëjnë betejat diplomatike e juridike që ne vetë i braktisëm. Aleatët mund të na mbrojnë nga kërcënimet, por nuk mund të na zëvendësojnë shtetin.
Ky është një dështim që duhet të na bëhet mësim. Është një paaftësi e thellë e jona, e ushqyer nga korrupsioni dhe mungesa e vullnetit politik. E vërteta e hidhur nuk është se shqiptarëve u mungon kapaciteti intelektual apo juridik, por se shtetet tona e kanë përjashtuar këtë kapacitet. Ne kemi dështuar të organizojmë një makineri të mirëfilltë institucionale për t’u përballur me Serbinë, e cila prej dekadash investon sistematikisht në diplomaci, lobim dhe propagandë ndërkombëtare.
Korrupsioni dhe paaftësia institucionale janë dy anë të së njëjtës medalje. Politikanët tanë e shohin shtetin si plaçkë. Ata i larguan profesionistët dhe nuk investuan në ngritjen e një administrate të pavarur, sepse profesionistët e vërtetë nuk bëhen dot vegla të pushtetit.
Ndaj, sot ne nuk duhet që vetëm të ankohemi për “botën e padrejtë”, por duhet të rrisim nivelin e përgjegjësisë shtetërore. E kjo përgjegjësi shtetërore kërkon institucione të forta që u mbijetojnë rotacioneve politike, jo liderë që e identifikojnë shtetin me veten.
Shteti nuk ndërtohet vetëm kur fiton. Shteti ndërtohet edhe kur humbet.