✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

SPAK zbardh arrestimin e Leli Kajës, dyshohet për 400 mijë lekë ryshfet

SPAK ka dhënë detaje të reja për arrestimin në flagrancë të Leli Kajës, administrator i shoqërisë “ECO-ELB” sh.a., e cila menaxhon inceneratorin e Elbasanit. Sipas njoftimit zyrtar, Kaja është arrestuar më 5 tetor 2026 dhe dyshohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas SPAK, hetimi është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 108 të vitit 2026, të regjistruar më 1 tetor, pas referimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Në kuadër të hetimit janë përdorur metoda speciale dhe veprime të simuluara hetimore.

Nga veprimet e kryera deri në këtë fazë, prokuroria dyshon se Kaja ka kërkuar dhe marrë shumën prej 400 mijë lekësh nga administratori i një operatori ekonomik, në këmbim të moskryerjes së detyrave që i ngarkohen me ligj në funksionin e administratorit të “ECO-ELB”.

SPAK njofton se gjatë kontrollit personal të tij është gjetur dhe sekuestruar shuma prej 400 mijë lekësh.

Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të rastit dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

SPAK thekson se Leli Kaja prezumohet i pafajshëm deri në provimin e fajësisë me një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Advertisement