Politike
VELIAJ LEVIZ GURET, RIKTHEN SARA GOXHAJN DHE SADI VORPSIN NE KRYE TE BASHKISE
Erion Veliaj vijon të lëvizë gurët në Bashkinë e Tiranës. Sara Goxhaj dhe Sadi Vorpsi janë rikthyer në postet e nënkryetarëve, dy funksione që i kanë mbajtur edhe më parë, në një tjetër riorganizim të nivelit të lartë drejtues të institucionit.
Lëvizja merr peshë për shkak të momentit politik në të cilin ndodh. Pavarësisht se ndodhet në paraburgim, Veliaj vijon të jetë juridikisht kryetar i Bashkisë së Tiranës. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ai po ushtron sërish kompetencat që lidhen me drejtimin e institucionit dhe konfigurimin e ekipit të tij.
Sara Goxhaj nuk është një emër i ri në këtë skemë. Në mars të vitit 2025, Veliaj firmosi nga paraburgimi një vendim për shkarkimin e Anuela Ristanit dhe delegimin e kompetencave te Goxhaj. Vendimi nuk u zbatua në atë kohë dhe Ristani vijoi të ushtronte funksionin, duke shkaruar më pas Goxhajn dhe Vorpsin.
Tashmë situata ka ndryshuar. Në vend të Anuela Ristanit është vendosur Alban Dokushi, ndërsa Sara Goxhaj rikthehet në postin e nënkryetares.
Edhe Sadi Vorpsi rikthehet në një funksion që e ka ushtruar më parë në Bashkinë e Tiranës. Me rikthimin e Goxhajt dhe Vorpsit dhe vendosjen e Dokushit në vend të Ristanit, Veliaj po riformaton një pjesë të rëndësishme të kupolës drejtuese të institucionit.
Veliaj ngriti kundërshtime për mënyrën se si po procedohej me reformën, duke kërkuar konsultim real me qytetarët e zonave të prekura dhe një vlerësim të plotë të pasojave territoriale, demografike, administrative dhe financiare të ndryshimeve që prekin Tiranën.
Në letrën e tij, ai kërkoi që procesi të pezullohej deri në zhvillimin dhe dokumentimin e një konsultimi real, paraprak dhe efektiv me popullsinë e prekur. Veliaj kërkoi gjithashtu që në vendimmarrjen për ndryshimet që prekin territorin e Tiranës të merret në konsideratë edhe qëndrimi i kryetarit të bashkisë.
Në harkun e pak ditëve, Veliaj ka ndërmarrë kështu dy lëvizje të forta: ka kërkuar frenimin e reformës territoriale të mazhorancës dhe ka ndërhyrë drejtpërdrejt në konfigurimin e ekipit drejtues të Bashkisë së Tiranës.
Mesazhi politik shkon edhe përtej mureve të Bashkisë. Nga qelia, Veliaj po tregon se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga kompetencat e tij dhe se kërkon të ruajë kontrollin mbi kryeqytetin.