✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

Kurti i bën ofertën PDK-së: Presidentin sonte, Specialen të enjten

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që çështja e zgjedhjes së presidentit të zgjidhet përpara se vendi të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në Kuvend vijon përplasja politike mes Vetëvendosjes dhe PDK-së për rendin e veprimeve.

Kurti paralajmëroi se, nëse presidenti nuk zgjidhet, Kosova mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja që në mesnatë. “Sonte në mesnatë mund të shkojmë në zgjedhje sikur nuk ka ndodhur asgjë”, deklaroi ai, duke argumentuar se një proces i ri zgjedhor do ta linte vendin në ngërç për një periudhë të gjatë.

Sipas Kurtit, çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe ajo e zgjedhjes së presidentit duhet të trajtohen në një rend që të mundësojë funksionimin e institucioneve. Ai tha se miratimi i ligjit nuk mund të përdoret si zëvendësim për zgjidhjen e ngërçit presidencial.

“Gjëja e parë që duhet ta bëjmë është heqja e pengesave që kemi mes nesh, e kjo është çështja e presidentit”, tha Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes kritikoi PDK-në dhe kryetarin e saj, Bedri Hamza, duke thënë se kjo parti po refuzon takimet dhe po vendos kushte për arritjen e një marrëveshjeje. Sipas Kurtit, pa një takim mes palëve është e vështirë të arrihet një dakordësi.

Megjithatë, Kurti bëri edhe një propozim konkret. Ai deklaroi se nëse PDK angazhohet publikisht që të sigurojë të paktën gjysmën e votave të deputetëve të saj për Bekim Sejdiun, atëherë Vetëvendosje është e gatshme të procedojë me votimin e projektligjit për Dhomat e Specializuara në leximin e dytë.

“Ta zgjedhim sot presidentin dhe unë zotohem që të enjten kalon projektligji për Dhomat e Specializuara”, u shpreh Kurti.

Ai argumentoi se nuk mund të anashkalohet rregullorja e Kuvendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të proceduar me një çështje tjetër. “Nuk mund ta shkelim rregulloren për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Kurti përmendi gjithashtu disa raste të mëparshme bashkëpunimi mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, duke përfshirë votime dhe vendime në Kuvend, si argument se sipas tij ka pasur raste të bashkëpunimit institucional.

Në përfundim, Kurti tha se Kuvendi përballet me dy përgjegjësi konkrete: zgjedhjen e presidentit dhe votimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Ndërkohë, mbetet e hapur nëse palët do të arrijnë marrëveshje për të shmangur një tjetër proces zgjedhor.

Advertisement