Aktualitet
BUXHETI FAMILJAR NË PRESION/ USHQIMET HANE POTHUAJSE GJYSMEN E PARAVE
Çmimet e larta po mbajnë ushqimet në krye të shpenzimeve të familjeve shqiptare. Të dhënat e INSTAT për vitin 2025 tregojnë se një familje shpenzoi mesatarisht 37 mijë e 859 lekë në muaj për ushqime dhe pije joalkoolike.
Kjo shumë përbën 39.8% të të gjithë buxhetit mujor të konsumit, duke shënuar një rritje të lehtë nga 39.6% që ishte një vit më parë.
Brenda shportës ushqimore, peshën më të madhe e zënë perimet, me 20.2% të shpenzimeve. Pas tyre renditen mishi dhe nënproduktet e tij, me 16.6%, si dhe qumështi, djathi dhe vezët, me 15.5%.
Në total, një familje shqiptare shpenzoi mesatarisht 95 mijë e 227 lekë në muaj për konsum gjatë vitit 2025, 2.3% më shumë se një vit më parë. Familja mesatare e përfshirë në anketë përbëhej nga 3.1 persona.
Pas ushqimeve, zërin më të madh në buxhet e zë banesa. Për banesën, ujin, energjinë elektrike dhe qiranë u shpenzuan mesatarisht 9 mijë e 218 lekë në muaj, ose 9.7% e buxhetit.
Restorantet dhe hotelet përfaqësojnë 7.5% të shpenzimeve, transporti 7.2%, ndërsa mobilimi, pajisjet dhe mirëmbajtja e banesës 6.6%.
Diferencat mes qarqeve janë të dukshme.
Familjet në Tiranë kanë nivelin më të lartë të shpenzimeve mujore për konsum, me 110 mijë e 904 lekë, rreth 16 mijë lekë mbi mesataren kombëtare.
Pas Tiranës renditen Korça dhe Durrësi. Në fund të renditjes janë Kukësi dhe Dibra.