✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Sulmohet selia e Partisë Socialiste, nga aty dalin persona të maskuar dhe me shkopinj

Kjo e diel shënon ditën e gjashtë të protestës së nisur nga studentët, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë, me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Grumbullimi i protestuesve nisi sërish pranë Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë u paraqitën me flamuj kombëtarë dhe pankarta, ndërsa mes tyre kishte persona me dhe pa maska. Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për largimin e kryeministrit.

Ndryshe nga ditët e mëparshme, protesta nisi me momente më të qeta, ku disa të rinj kërcyen dhe kënduan në mes të rrugës, përballë efektivëve të Policisë së Shtetit.

Grisi certifikatën e Olimpiadës së Historisë në shenjë revolte

Një prej protestuesve u bë pjesë e vëmendjes pasi u bëri thirrje pjesëmarrësve të mos ushtronin dhunë ndaj policisë, ndërsa kërkoi edhe nga efektivët që të mos përdornin dhunë ndaj protestuesve.

Në shenjë revolte, i riu grisi certifikatën që kishte marrë si fitues i Olimpiadës së Historisë, e cila i ishte dhënë nga ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini.

Përshkallëzohen tensionet, lëndohet një gazetare

Pas momenteve të qeta në nisje të tubimit, situata u tensionua, ndërsa disa protestues nisën të hidhnin gurë në drejtim të efektivëve të policisë që qëndronin pranë Ministrisë së Arsimit.

Gjatë përplasjeve mbeti e lënduar një gazetare, e cila u largua nga zona e protestës me ambulancë.

Më pas, policia i zhvendosi protestuesit drejt qendrës së Tiranës, ndërsa disa prej tyre u shoqëruan në komisariate.

Protestuesit sulmojnë me gurë selinë e Partisë Socialiste

Tensionet vijuan edhe pas zhvendosjes së protestuesve. Ata u ndalën përpara selisë së Partisë Socialiste, ku nisën të gjuanin me gurë në drejtim të godinës.

Nga sulmi u godit edhe pjesa e derës së selisë, ndërsa u thyen xhamat e saj.

Protesta vijon në një klimë të tensionuar, ndërsa zhvillimet e ditës së gjashtë shënohen nga përplasjet me policinë, lëndimi i një gazetareje dhe dëmtimi i godinës së Partisë Socialiste.

Advertisement