Politike
Macron fton Ramën në Forumin e Paqes/ Kryeministri në dy sesione të rëndësishme
Me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron, kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, një platformë ndërkombëtare që këtë vit përqendrohet te roli i qeverisjes efektive në garantimin e paqes së qëndrueshme, stabilitetit dhe prosperitetit.
Forumi zhvillohet në një kohë kur zhvillimet gjeopolitike, përparimi teknologjik dhe sfidat klimatike po ndikojnë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe mënyrën e bashkëpunimit mes shteteve.
Gjatë aktivitetit, Rama do të marrë pjesë në një sesion të posaçëm të formatit “Spotlight”, ku do të diskutojë mbi perspektivën evropiane dhe rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian për brezat e rinj.
Kryeministri shqiptar do të jetë gjithashtu pjesë e seancës plenare me temë “From Sovereignty to Cooperation” (Nga sovraniteti te bashkëpunimi), ku do të trajtohen dimensione të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar.