Politike
Balla vendos “ultimatum”: Reforma zgjedhore do vijojë përpara me ose pa opozitën
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas bojkotit të mbledhjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore nga Partia Demokratike, duke deklaruar se mazhoranca do të vijojë procesin për përmbylljen e reformës, edhe nëse opozita nuk rikthehet në tryezë.
Balla bëri të ditur se afati i vendosur për përfundimin e punës së komisionit është 30 nëntori. Ai akuzoi Partinë Demokratike se po përdor bojkotin për të penguar procesin, ndërsa kërkoi që propozimet e opozitës të paraqiten dhe të diskutohen brenda komisionit.
“Kush e bojkotoi komisionin? E bojkotuan ata! Komisioni nuk ka pse të ndërpritet. Nuk ke pse e lë vendin duke abuzuar me një të drejtë, si ajo e vetos. PD t’i sjellë të gjitha propozimet në komision. Të diskutohen, por bojkoti i komisionit me një të drejtë që ta kemi dhënë ne, është i papranueshëm”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se mazhoranca i ka dhënë opozitës të drejtën e vetos, ndonëse, sipas tij, Partia Socialiste disponon 3/5 e votave në Kuvend. Balla paralajmëroi se nëse PD nuk rikthehet në komision, PS mund të depozitojë propozimet e saj në Kuvend dhe t’i kalojë ato me votat që ka në dispozicion.
Gjatë prononcimit, kreu i grupit parlamentar socialist përmendi edhe disa prej ndryshimeve që mazhoranca synon të diskutojë në kuadër të reformës. Një prej tyre lidhet me përfaqësimin e bashkive të vogla, të cilat u shkrinë pas reformës territoriale, në këshillat bashkiakë, përmes një përpjesëtimi të përcaktuar.
Një tjetër propozim i përmendur prej tij është rikthimi i numërimit të votave në qendrat e votimit, me argumentin se kjo mënyrë do të shkurtonte kohën e nxjerrjes së rezultatit. Balla foli gjithashtu për një formulë të vitit 2020, që lidhet me depolitizimin e komisioneve zgjedhore.
Sa i përket hapjes së listave për anëtarët e këshillave bashkiakë, Balla shprehu kundërshtimin e tij, duke sqaruar se po fliste në cilësinë e deputetit dhe politikanit.
“Flas si deputet dhe politikan me shumë vite mbi supe. Sa i përket hapjes së listave për anëtarët e këshillave bashkiakë, unë jam kundër”, përfundoi Balla.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur puna për Reformën Zgjedhore përballet me mungesën e dakordësisë mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa afati i përmbylljes së komisionit është vendosur në 30 nëntor.