Shkrime
EUROPA GATI PER 72 ORE PA ENERGJI DHE UJE, SHQIPERIA NE HESHTJE: ÇFARE PO NA FSHEHIN
Europa po përgatitet për skenarë që deri dje dukeshin të paimagjinueshëm. Qeveritë u kërkojnë qytetarëve të jenë gati për ditë të tëra pa energji, ujë e komunikim. Në Shqipëri, heshtja institucionale për gatishmërinë konkrete përballë një krize të tillë ngre pyetje serioze…
Ka diçka shqetësuese në mënyrën se si Europa po përgatitet për një të ardhme gjithnjë e më të pasigurt. Qeveritë, zakonisht të kujdesshme për të mos krijuar panik, po u flasin qytetarëve për skenarë që deri pak kohë më parë do të dukeshin të denjë për letërsinë apokaliptike. Tri ditë pa energji elektrike, pa komunikim, me furnizime të kufizuara dhe që familjet duhet t’i përballojnë vetë orët e para të një krize. Gjithçka po thuhet me gjuhën e ftohtë të institucioneve, përmes udhëzimeve praktike dhe listave të furnizimeve të domosdoshme. Pikërisht kjo qetësi e pazakontë e bën mesazhin edhe më të rëndë.
Nga Brukseli në Berlin, nga Parisi në Amsterdam, përgatitja për 72 orët e para të një emergjence po merr vëmendje të veçantë. Nuk ka një paralajmërim zyrtar për ndonjë katastrofë të afërt, as prova se qeveritë dinë diçka që po ua fshehin qytetarëve. Megjithatë, kur kaq shumë institucione e trajtojnë seriozisht mundësinë e ndërprerjes së shërbimeve jetike, do të ishte mendjelehtësi që kjo të kalohej si një këshillë e zakonshme për të mbajtur disa konserva në shtëpi.
Në këtë klimë pasigurie kanë gjetur terren edhe teori të shumta, disa prej tyre haptazi konspirative. Flitet për një errësirë të madhe që mund të përfshijë Europën, për sulme të koordinuara ndaj rrjeteve energjetike, për një luftë kibernetike që mund të paralizojë qytete të tëra, madje edhe për ngjarje të jashtëzakonshme me origjinë kozmike. Në rrjetet sociale, shprehja “72 orët e errësirës” ka marrë ngjyrime pothuajse profetike. Pretendime të tilla nuk mbështeten në prova të besueshme dhe nuk duhen ngatërruar me planet zyrtare të emergjencës.
Ajo që duhet të na shqetësojë është fakti se institucionet europiane po i kërkojnë shoqërisë të përgatitet për ndërprerjen e normalitetit. Dhe kjo na jep arsye të mjaftueshme për t’u ndalur e për të reflektuar.
Në Shqipëri, ndërkohë, mungon një komunikim publik me peshën që kërkon një çështje e tillë. Dhe këtu fillon përgjegjësia e drejtpërdrejtë e shtetit.
Qeveria shqiptare nuk mund të presë që qytetarët t’i mësojnë nga rrjetet sociale rreziqet që qeveritë europiane po i trajtojnë në nivelin më të lartë institucional. As mund ta lërë përgatitjen për emergjenca në dorë të nismave individuale, ndërkohë që vetë nuk jep një pasqyrë të qartë të gatishmërisë së vendit.
Kryeministria, Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe institucionet përgjegjëse për infrastrukturën jetike kanë detyrimin t’u shpjegojnë shqiptarëve se çfarë do të ndodhte nëse vendi do të mbetej për 72 orë pa energji elektrike dhe me komunikime të ndërprera.
Sa do të rezistonin spitalet? A kanë ujësjellësit furnizim rezervë? A mund të vazhdojnë shërbimet e urgjencës nëse bien rrjetet telefonike? Si do të siguroheshin ushqimet, karburanti dhe barnat? Kush do të merrte drejtimin e operacioneve dhe si do të informohej popullsia?
Për këto pyetje nuk mjaftojnë planet e shkruara në dokumente zyrtare. Duhen përgjigje publike, prova të gatishmërisë, ushtrime konkrete dhe udhëzime që të arrijnë në çdo familje.
Shqipëria ka një Plan Kombëtar për Emergjencat Civile dhe institucione të ngarkuara me zbatimin e tij. Pikërisht për këtë arsye, qeveria duhet të tregojë sa është testuar ky sistem, çfarë kapacitetesh ka dhe ku janë dobësitë e tij. Ekzistenca e një plani nuk garanton vetvetiu funksionimin e tij në kushtet e një krize të rëndë.
Një shtet serioz nuk matet vetëm me aftësinë për të ndërhyrë pasi ka ndodhur fatkeqësia. Ai matet me atë që ka bërë për ta parandaluar dëmin, për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të mos i lënë qytetarët në mëshirën e fatit.
Nëse qeveria shqiptare ka marrë masa të posaçme për skenarë të tillë, duhet t’i bëjë të njohura, aq sa lejojnë protokollet e sigurisë. Nëse ka mangësi, duhet t’i pranojë dhe të shpjegojë si do t’i korrigjojë. Heshtja nuk i bën rreziqet më të vogla.
Askush nuk e di nëse Europa do të përballet ndonjëherë me një ndërprerje masive të energjisë apo të komunikimeve. Mundet që të gjitha këto përgatitje të mbeten masa parandaluese. Do të ishte skenari më i mirë.
Megjithatë, kur qeveritë europiane po u mësojnë qytetarëve si të përballojnë 72 orët e para të një krize, qeveria shqiptare u detyrohet shqiptarëve diçka më tepër se heshtja./Shkruar nga Gjergj Zefi