✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

LUFTA NISI NGA QELIA, VELIAJ PERJASHTOHET NGA PARTIA/ ANALISTI HEDH MBI TAVOLINE DY SKENARET

Eksperti i sigurisë Ilir Kulla ka paralajmëruar se Asambleja e Partisë Socialiste, e planifikuar për më 14 nëntor, mund të shënojë një moment vendimtar në marrëdhëniet mes kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe forcës politike që ai përfaqëson.

I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, në kanalin YouTube të Pamfletit, Kulla komentoi kërkesën zyrtare që Veliaj ka paraqitur nga paraburgimi i Fierit për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë, fizikisht, përmes një lidhjeje virtuale ose duke iu drejtuar anëtarëve me një letër.

Kjo pasi Veliaj i ka dërguar kërkesë sekretarit të përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, si dhe drejtuesit të SPAK-ut. Kërkesa vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Veliajt dhe drejtuesve të Partisë Socialiste janë bërë objekt diskutimi publik. Një ditë më parë, Klosi i kishte sugjeruar kryebashkiakut, gjatë një interviste televizive, që të përqendrohej te çështjet e tij me drejtësinë dhe jo te veprimtaria partiake.

Për Ilir Kullën, çështja nuk lidhet vetëm me marrëdhënien personale apo politike mes Veliajt dhe drejtuesve socialistë, por ngre pyetje për të drejtat politike të një zyrtari të zgjedhur që ndodhet në paraburgim.

“Cili është vendimi politik i marrë nga sekretari i përgjithshëm i partisë, Blendi Klosi, apo nga Partia Socialiste, që t’ia ndalojë aktivitetin politik të paraburgosurit të zgjedhur me votat e popullit?”, u shpreh Kulla.

Ai argumentoi se fakti që Veliaj ndodhet në paraburgim nuk duhet të sjellë automatikisht përjashtimin e tij nga veprimtaria politike. Sipas ekspertit, Partia Socialiste duhet të bëjë dallimin mes një vendimi të brendshëm politik për anëtarësinë e Veliajt dhe kufizimeve që mund të rrjedhin nga një vendim gjyqësor.

 “Erion Veliaj ka të drejtë të shkojë në mbledhje, qoftë edhe online, të dëgjohet. Ata me vota mund ta rrëzojnë, siç e kanë rrëzuar, por këtu nuk është më çështje votash, është çështje fryme”, deklaroi Kulla.

Eksperti theksoi se PS-ja duhet të marrë një qëndrim të qartë nëse nuk dëshiron që Veliaj të vijojë veprimtarinë brenda strukturave të saj.

“Ose vendimi politik, pra të shtunën PS-ja duhet të marrë vendim politik të thotë: ‘Ne e përjashtojmë Erion Veliajn’, edhe këtu mbyllet historia e Erion Veliajt me Partinë Socialiste, ose instrumenti juridik, i cili thotë: ‘Je i dënuar’”, u shpreh ai.

Kulla kundërshtoi edhe qëndrimin e Blendi Klosit, duke argumentuar se problemet e Veliajt me drejtësinë nuk i japin automatikisht drejtuesve të partisë kompetencën për t’ia kufizuar pjesëmarrjen në diskutimet politike.

Eksperti ngriti gjithashtu shqetësime për transferimin e Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, duke pretenduar se largësia e re e vështirëson kontaktin me familjarët. Kulla përmendi moshën dhe gjendjen shëndetësore të nënës së kryebashkiakut, si dhe faktin që ai ka dy fëmijë të vegjël.

“Edhe e çojnë edhe nja 100 kilometra të tjera më larg. Për çfarë bëhet kjo? Për t’ia nxirë jetën atyre që janë jashtë, jo atij që është brenda”, deklaroi ai.

Për ekspertin, mënyra se si institucionet dhe Partia Socialiste do ta trajtojnë kërkesën e Veliajt do të tregojë edhe aftësinë e sistemit politik për të respektuar të drejtat e përfaqësuesve të zgjedhur. Ai argumentoi se Veliaj përfaqëson një rast që nxjerr në pah probleme më të gjera në marrëdhëniet mes politikës, drejtësisë dhe institucioneve demokratike.

“Erion Veliaj është një nga shprehjet e krizës politike që ka mbërthyer vendin dhe të sistemit”, deklaroi Kulla.

Pjesë nga intervista:

-Ok. Tani… mbetemi tek Asambleja e Partisë Socialiste. Nga paraburgimi i Fierit ka bërë një kërkesë zyrtare kryebashkiaku në detyrë i Tiranës, Erion Veliaj. Kërkon pjesëmarrjen në një mënyrë a në një tjetër, direkt apo virtualisht, fizikisht, apo qoftë edhe duke iu drejtuar me një letër anëtarëve të Asamblesë së Partisë Socialiste. Letra i është dërguar sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialiste, Blendi Klosit, dhe kreut të SPAK-ut, sigurisht. Në një intervistë televizive, një ditë më herët, Blendi Klosi, për shembull, i rekomandoi kryebashkiakut Veliaj që më mirë të merret me organet e drejtësisë sesa me partinë. Çfarë do të thotë kjo kërkesë e Veliajt, si mund të realizohet në një formë a në një tjetër dhe pse po e bën ai këtë?

Ilir Kulla: Atëherë shiko… kjo vjen në një moment shumë interesant. Është momenti në të cilin Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë Fredi Belerit pas tre vjetësh.

-Po, një ditë më parë.

Ilir Kulla: Për paraburgimin. Edhe Erion Veliaj, si kryetar bashkie i zgjedhur, se flasim për demokracinë, se ky është sistemi. Ka bërë kërkesë me avokatët e tij pikërisht në Strasburg.

-Po cilat janë të drejtat politike të një njeriu të zgjedhur? 

Ilir Kulla: Janë të drejtat për të ushtruar aktivitetin e tij politik, qoftë edhe nga burgu. Pra… Cili është vendimi politik i marrë nga sekretari i përgjithshëm i partisë, Blendi Klosi, apo nga Partia Socialiste, që t’ia ndalojë aktivitetin politik të paraburgosurit të zgjedhur me votat e popullit, që s’po ia përmend emrin, po po them të paraburgosuri i zgjedhur, që sot është kryetari i Bashkisë?

Pra, me cilin instrument juridik i ndalohet atij kjo gjë? Sepse instrumenti juridik që t’ia ndalojë është një dënim përfundimtar nga gjykata. Dhe një nga dënimet që të japin, është edhe… mos… siç u dënua, për shembull, Ervin Salianji, që për kaq vjet nuk… të ndalohet të mos jesh pjesë e institucioneve apo e jetës politike. Pra, edhe njëherë, flasim për sistemin. Pra, Erion Veliaj ka të drejtë të shkojë në mbledhje, qoftë edhe online, të dëgjohet, ata me vota mund ta rrëzojnë, siç e kanë rrëzuar, po këtu nuk është më çështje votash, është çështje fryme. Por vijmë edhe njëherë te sistemi: pra, me cilin instrument ti ia ndalon sot aktivitetin politik në paraburgim bashkëkryetarit të opozitës, ish-presidentit të vendit dhe ish-kryeministrit të vendit që është në paraburgim? Dhe po me të njëjtin mjet, me cilin instrument ti i ndalon kryetarit të Bashkisë më të madhe të zgjedhur të vendit që vjen pikërisht nga partia që është në pushtet, pra… Cili është instrumenti? Nuk ke një instrument ligjor që ti ta ndalosh atë të marrë pjesë në veprimtarinë politike të vendit. I vetmi instrument është represioni i quajtur paraburgim, që do të thotë, Gjykata e Strasburgut që e ke dy herë kot, ta ka përmendur një herë për Gërçin dhe një herë për Fredi Belerin. Dhe Fredi Beleri është rasti më i ngjashëm. Madje, Veliaj është edhe më i lartë se Fredi Beleri, sepse Fredi Beleri nuk e mori kurrë, u zgjodh dhe nuk e mori kurrë funksionin e kryetarit të Bashkisë, nuk e lanë pra. Kurse Veliaj është i zgjedhur dhe e kryen funksionin e kryetarit të Bashkisë.

Dhe ka dy instrumente që mund ta ndalojnë. O vendimi politik, pra të shtunën PS-ja duhet të marrë vendim politik të thotë: “Ne e përjashtojmë Erion Veliajn”, edhe këtu mbyllet historia e Erion Veliajt me Partinë Socialiste, ose instrumenti juridik, i cili thotë: “Je i dënuar”, pra kjo që thotë Blendi Klosi, thotë: “Edhe shih hallet me drejtësinë ti, aman vëlla, unë jam… s’jam dënuar, unë po vazhdoj luftën”. Dhe ti, në cilën formë ma ndalon mua pjesëmarrjen në aktivitetin tim politik? Dhe aq më tepër kur kjo vjen pas faktit që, pikërisht për t’ia komplikuar jetën familjes së tij, sepse ai paraburgimi ishte në Durrës, paraburgim, po një njeri që ka nënën 78-vjeçare të sëmurë dhe ata e dinë mirë që është e sëmurë, se e njohin nënën personalisht. Dhe ka dy fëmijë të vegjël, njëri nga të cilët foshnjë. Edhe e çojnë edhe nja 100 kilometra të tjera më larg, kjo, për çfarë bëhet kjo? Për t’ia nxirë jetën atyre që janë jashtë, jo atij që është brenda, se ai brenda është. Kështu që… kjo letër e Veliajt dhe pamundësia e tij për të vajtur, për shembull, ose për t’u dëgjuar, qoftë edhe nëpërmjet një letre, ose një videokonference, e të tjerë, është edhe një herë shprehje e domosdoshmërisë së madhe që ka ky vend për transformimin dhe modernizimin e sistemit politik. Pra, Erion Veliaj është një nga… shprehjet e krizës politike që ka mbërthyer vendin dhe të sistemit. Sepse kush është problemi? Problemi është që në një shtet evropian ku duam të shkojmë ne, ai që flet është demokracia, pra sovrani, dhe respektimi i ligjeve. Në rastin konkret ne nuk kemi asnjë shprehje jodemokratike, sepse ai është zgjedhur me votat e njerëzve, tre mandate, në mandatin e fundit më shumë se çdokush tjetër ndonjëherë. Dhe nuk kemi një dënim të formës përfundimtare, siç thotë Strasburgu dhe për rastin… Beleri dhe për rastin… Gërçi. Apo siç është dhe për rastin e kryetarit të Bashkisë së… së Stambollit. Dhe atëherë, nëse jemi në një vend ku nuk respektohet pra… e drejta jote për të ushtruar demokracinë, atëherë për çfarë shteti ligjor po flasim? Po sigurisht, ky do të jetë një moment përplasjeje, ndoshta definitivisht mes Veliajt dhe partisë së vet, por kjo nuk vjen si rrjedhojë e Veliajt për të shkuar drejt përplasjes, por vjen si rrjedhojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë në vend.

Advertisement