✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Kënga serbe në forumin e BE/ Rama i prerë: Serbia të njohë Kosovën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Brukseli për incidentin me këngën nacionaliste serbe të interpretuar në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Europian, duke kërkuar që ngjarja të mos kalojë në heshtje.

Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së, Rama e nisi fjalën e tij duke dënuar interpretimin e këngës, të cilën e cilësoi si një akt pa shije nacionaliste dhe në kundërshtim me frymën që duhet të përfaqësojë një aktivitet europian.

Kreu i qeverisë theksoi se heshtja përballë episodeve të tilla do të ishte një tjetër gabim, pasi sipas tij, ato rikthejnë tensionet dhe fantazitë nacionaliste të së kaluarës.

Rama pranoi se ruajtja e Serbisë në rrugën europiane është e rëndësishme për fqinjësinë dhe stabilitetin në rajon, por nënvizoi se kjo nuk duhet të bëhet duke anashkaluar çështjet që prekin Kosovën dhe shqiptarët.

Ai kërkoi që Serbia ta njohë sa më shpejt Republikën e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një zhvillim të rëndësishëm për të ardhmen e rajonit.

“Sa më shpejt Serbia të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do të jetë për ne. Ne nuk po kërkojmë që të vijmë këtu, po kërkojmë që të sjellim Europën atje”, deklaroi Rama.

“Më lejoni që të them diçka, para se t’i përgjigjem pyetjes suaj të drejtpërdrejtë, për një të keqe që u bë dje përmes muzikës, nuk duhet të kthehet sot një e keqe përmes heshtjes. Një këngë pa shije nacionaliste, u interpretua në prag të këtij forumi, kundër gjithçkaje që përfaqësonte. Nuk është se e lëndon vetëm ndjenjat e kombit shqiptar, të qytetarëve të Republikës së Kosovës, por ka të bëjë me nevojën për të mos na lënë që të kalojë në heshtje atë që kërkon të na kthejë në kohë.

E di sa e rëndësishme është për fqinjësinë tonë, që ta mbajnë Serbinë në anën tonë, të Europës, gjatë gjithë kohës dhe dua të sigurohem që ajo që po them të mos shkojë në të kundërt të kësaj bindjeje, por nuk duhet të lëmë hapësira për beteja mesjetare, që të kalojnë në fantazira. Sa më shpejt Serbia të njohë Republikën e Kosovës, aq më mirë do të jetë për ne. Ne nuk po kërkojmë që të vijmë këtu, po kërkojmë që të sjellim Europën atje”, tha kryeministri Rama.

Advertisement