Bota
Izraeli vret komandantin e Brigadës Rafah të Hamasit, ishte në krye prej vetëm dy muajsh
Ushtria izraelite ka njoftuar se ka vrarë në një sulm ajror në jug të Rripit të Gazës komandantin e Brigadës Rafah të Hamasit, Samir Mahmoud Hassan Abu Younis, i cili kishte marrë drejtimin e kësaj strukture vetëm dy muaj më parë.
Sipas autoriteteve izraelite, Abu Younis u vra gjatë një sulmi në zonën Al-Mawasi, pranë Khan Younis, në jug të Gazës. Vdekja e tij u konfirmua edhe nga krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Al-Qassam.
Ushtria izraelite pretendon se Abu Younis kishte luajtur rol të rëndësishëm në planifikimin e sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit, si dhe në organizimin e sulmeve kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë.
Nga ana tjetër, edhe Brigadat Al-Qassam e kanë përshkruar atë si një prej komandantëve kryesorë të përfshirë në planifikimin dhe mbikëqyrjen e sulmit të 7 tetorit.
Abu Younis kishte marrë drejtimin e Brigadës Rafah pas vrasjes së paraardhësit të tij, Nael Abu Obeid, më 15 shtator 2026.
Ngjarja vjen në një kohë kur në Rripin e Gazës vijon armëpushimi i brishtë, i vendosur në tetor të vitit 2025. Megjithatë, sulmet izraelite kanë vazhduar edhe pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.
Ndërkohë, plani i paqes i presidentit amerikan Donald Trump mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve, veçanërisht lidhur me çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza.