Politike
Dosja Balluku për gjykim/ Kreu i SPAK: Korrupsion në 9 raste dhe 5 miliardë lekë dëm ndaj shtetit
Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për gjykimin e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe 25 personave të tjerë dhe dy shoqërive tregtare.
Lajmi u konfirmua nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët, ku ishte i pranishëm edhe grupi hetimor, i përbërë nga dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Sipas Brahos, në hetim janë angazhuar gjithsej dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje.
Prokurori Dritan Prençi bëri të ditur se hetimet janë përqendruar në dhjetë procedura prokurimi, mes të cilave Tuneli i Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe të Tiranës dhe procedura e prokurimit për Albcontrol.
Një nga episodet kryesore lidhet me një tender me fond limit rreth 18 miliardë lekë. Sipas SPAK, Balluku, në cilësinë e ish-ministres, dyshohet se ka vijuar të ndikojë dhe të orientojë procedurat, edhe pse kompetencat përkatëse ishin kaluar te struktura të tjera. Prokuroria pretendon se synimi ka qenë paracaktimi i kompanisë “Intecar SRL”.
Sipas Prençit, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë shpallur fituesit, ndërsa Viola Haxhiademi, në cilësinë e personit përgjegjës, dyshohet se ka miratuar një preventiv me çmime të fryra, në kundërshtim me rregullat përkatëse.
Nga hetimet, sipas prokurorit, fondi limit rezulton i përllogaritur gabim me rreth dy miliardë lekë, ndërsa dëmi i pretenduar ndaj shtetit për këtë procedurë arrin në rreth pesë miliardë lekë.
Prokurorja Dorina Bejko u ndal te procedurat e tjera nën hetim. Ajo deklaroi se në një tender me fond rreth një miliard lekë, Balluku, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka ndikuar për favorizimin e kompanisë “G SHPK”.
Ndërsa për procedurën e prokurimit në Albcontrol, sipas hetimeve të SPAK, Balluku dyshohet se ka paracaktuar fituesin në favor të shoqërisë “Eurocol”.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e dosjes lidhet me pasuritë e dyshuara si të përfituara në mënyrë të parregullt. Prokurori Prençi deklaroi se në pronësi familjare të Ballukut rezulton një vilë me sipërfaqe 428 metra katrorë, për të cilën SPAK pretendon se është fshehur fillimisht përmes Igli Tares dhe më pas përmes Arbër Abazit.
Sipas prokurorisë, përfitimet e pretenduara nga Igli Tare, në vlerën 250 mijë euro, nuk janë pasqyruar në deklaratat vjetore të pasurisë. Hetimet përfshijnë gjithashtu edhe një vilë tjetër në Gjilekë, për të cilën prokurorja Bejko deklaroi se dyshohet se është përfituar në mënyrë të parregullt përmes një kontrate të firmosur nga Igli Tare.
Në përfundim të prezantimit, SPAK bëri të ditur se akuzat ndaj Ballukut përfshijnë korrupsionin në nëntë raste, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave. Ndërkohë, vlera e pasurive të sekuestruara në kuadër të hetimit arrin në 1.8 milionë euro.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, foli edhe për vendimin e mëparshëm të Kuvendit lidhur me kërkesën për autorizimin e masës së arrestit ndaj Ballukut. Ai sqaroi se institucioni kishte pasur detyrimin të zbatonte vendimin e Kuvendit, pavarësisht se ai ishte në kundërshtim me qëndrimin e prokurorisë.
Megjithatë, sipas Brahos, hetimet nuk janë ndërprerë dhe gjatë kësaj periudhe janë dokumentuar edhe tri akuza të tjera, të cilat nuk ekzistonin në momentin e paraqitjes së kërkesës së parë.
I pyetur nëse ekziston një hetim tjetër ndaj ish-zëvendëskryeministres, Braho deklaroi se aktualisht SPAK nuk ka një çështje tjetër në ngarkim të saj, përtej dosjes që po dërgohet në gjykatë. Ai sqaroi se çështja e Aeroportit të Vlorës vijon të jetë nën hetim, por nuk dha detaje për shkak të sekretit hetimor.
Me dorëzimin e kërkesës për gjykim, dosja tashmë kalon në fazën gjyqësore, ku do të shqyrtohen akuzat dhe provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme. Përgjegjësia penale e të pandehurve do të përcaktohet nga gjykata.