Bota
Macron lëshon alarmin: Nëse fiton Putini, e gjithë Evropa do të jetë në rrezik
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka dhënë një mesazh të fortë për Evropën, duke ritheksuar se mbështetja për Ukrainën është thelbësore jo vetëm për të ardhmen e Kievit, por edhe për sigurinë e të gjithë kontinentit evropian.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Macron paralajmëroi se një fitore e imponuar nga Rusia do të krijonte një precedent të rrezikshëm për sigurinë evropiane dhe do të dobësonte të gjitha vendet e kontinentit.
“Nëse Rusia i imponon vullnetin e saj një vendi evropian me forcë, e gjithë Evropa dobësohet”, deklaroi presidenti francez.
Ukraina ishte një nga çështjet kryesore të diskutimeve gjatë samitit të Komunitetit Politik Evropian në Dublin dhe takimit informal të Këshillit Evropian. Macron bëri të ditur se në qendër të bisedimeve ishin dy objektiva: garantimi i ndihmës për Ukrainën për të përballuar dimrin dhe krijimi i kushteve për një paqe të drejtë e të qëndrueshme.
Kreu i Elizesë u ndal edhe te qëndrimi i Moskës, duke pretenduar se bisedimet e fundit me përfaqësuesit amerikanë kanë treguar se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka vullnet për të negociuar.
Sipas Macronit, Rusia po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet përmes intensifikimit të sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës energjetike. Këto sulme, paralajmëroi ai, rrezikojnë ta lënë vendin pa energji elektrike gjatë muajve të dimrit.
“Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që ky bast të dështojë”, theksoi Macron, duke kërkuar vijimin e mbështetjes financiare dhe ushtarake për Kievin.
Një tjetër çështje e rëndësishme që Macron vuri në dukje ishte forcimi i garancive të sigurisë për Ukrainën. Ai bëri të ditur se 42 vende kanë miratuar një deklaratë të përbashkët mbi parimet që duhet të udhëheqin sigurinë evropiane.
Në këtë kuadër, presidenti francez përmendi edhe iniciativën e njohur si “Aleanca e të Gatshmëve”, e cila po punon për hartimin e garancive të sigurisë për Ukrainën.
Plani përfshin forcimin e ushtrisë ukrainase dhe përgatitjen e një force shumëkombëshe, e cila mund të vendoset në territorin ukrainas pas arritjes së një armëpushimi.
Macron theksoi gjithashtu se Evropa duhet të përcaktojë qartë rolin që pret të luajnë Shtetet e Bashkuara në garantimin e sigurisë së kontinentit pas përfundimit të luftës.
Në përfundim, presidenti francez nënvizoi se Ukraina, e cila sipas tij zotëron ushtrinë më të madhe konvencionale në Evropë, duhet të ketë një rol vendimtar në ndërtimin e arkitekturës së ardhshme të sigurisë evropiane, në bashkëpunim me NATO-n.
Mesazhi i Macronit vjen në një kohë kur e ardhmja e luftës në Ukrainë dhe garancitë e sigurisë për periudhën pas konfliktit mbeten ndër sfidat kryesore për Evropën dhe aleatët e saj.