✦
Thinking ...
Connect with us

Pinknews

Dosja e 210 mijë eurove/ Akuza për falsifikim, Prokuroria nuk pranon pafajësinë e Luiz Ejllit

Edhe pse Gjykata e Apelit e shpalli të pafajshëm në maj të vitit 2025, çështja gjyqësore ndaj këngëtarit Luiz Ejlli nuk ka përfunduar ende. Prokuroria ka kundërshtuar vendimin e Apelit dhe ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Lartë, ku çështja pritet të shqyrtohet më 24 nëntor.

Relator i dosjes është caktuar gjyqtari Sokol Binaj.

Luiz Ejlli është akuzuar për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim. Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës kur kishte humbur licencën e noterit, këngëtari kishte përdorur vulën noteriale për të hartuar një deklaratë që justifikonte burimin e një shume prej 210 mijë eurosh, në favor të shtetasit Fatmir Avdurramani.

Më 2 tetor 2024, Gjykata e Shkallës së Parë në Fier e shpalli fajtor Ejllin, duke e dënuar me një vit burgim. Ndërkohë, bashkëpandehuri Fatmir Avdurramani u dënua me 18 muaj burgim.

Megjithatë, më 8 maj 2025, Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke shpallur të pafajshëm të dy të pandehurit.

Prokuroria e Apelit nuk e pranoi këtë vendim dhe iu drejtua Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kërkuar shqyrtimin e vendimit të pafajësisë.

Tashmë, pritet që më 24 nëntor Gjykata e Lartë të shqyrtojë çështjen, në një tjetër zhvillim të rëndësishëm për procesin gjyqësor ndaj këngëtarit Luiz Ejlli.

Advertisement