✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

1.8 miliardë lekë për banesat e reja/ Demo: Familjet prekura nga tërmeti në 2019 nuk duhet të presin

Qeveria pritet të financojë me 1.8 miliardë lekë Bashkinë e Tiranës për përshpejtimin e procesit të rindërtimit në Kombinat dhe në lagjen “5 Maji”, ku vijojnë problematikat që kanë penguar përfundimin e punimeve dhe dorëzimin e banesave te familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Për këtë çështje është zhvilluar një mbledhje e grupit ndërinstitucional të punës, e drejtuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe Bashkisë së Tiranës.

Gjatë takimit, Demo bëri të ditur se përgatitja e mbështetjes financiare prej 1.8 miliardë lekësh nga buxheti i qeverisë qendrore është në fazën përfundimtare. Fondet synojnë të përshpejtojnë ndërtimin e banesave për familjet që ende presin zgjidhjen e situatës së tyre.

Ministri kërkoi që institucionet të marrin përgjegjësi konkrete për problematikat e mbartura, duke theksuar se mosmarrëveshjet apo vështirësitë mes strukturave shtetërore nuk duhet të rëndojnë më tej mbi qytetarët.

“Vështirësitë mes institucioneve duhet t’i zgjidhim ne. Familjet nuk duhet të vazhdojnë të presin për shkak të tyre”, deklaroi Demo.

Ai bëri të ditur se procesi do të ndiqet përmes takimeve periodike ndërinstitucionale dhe kontrolleve në terren, deri në përfundimin e banesave dhe dorëzimin e çelësave te familjet përfituese.

Megjithatë, për familjet që presin prej vitesh banesat e reja, mbetet për t’u parë se kur do të konkretizohet financimi dhe brenda cilave afate do të përfundojnë punimet në dy zonat e prekura.

Advertisement