Kosova
Djali i Kadri Veselit thirrje shtetit të Kosovë spas dënimit të Thaçit: Është urgjente
Klestor Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi me 17 muaj burgim në çështjen për pengim të drejtësisë.
Përmes një postimi në Instagram, Veseli e ka cilësuar vendimin si instrumentalizim të drejtësisë dhe përdorim të saj për të diskredituar një figurë historike dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Një pështyrje në fytyrë ndaj sundimit të ligjit. Një instrumentalizim dhe përdorim i drejtësisë si armë për diskreditimin e një figure historike dhe UÇK-së që ai përfaqëson”, ka shkruar Veseli.
Ai u ka bërë thirrje edhe institucioneve të Kosovës që të reagojnë për zhvillimet në Hagë, duke kërkuar që institucionet ndërkombëtare të tërheqin vëmendjen te proceset që po zhvillohen në Dhomat e Specializuara.
“Është urgjente që shteti t’i inkurajojë institucionet ndërkombëtare të kthejnë sytë në atë që po ndodh në Hagë dhe kjo përdhosje që po i bëhet të vërtetës dhe të drejtës nga ajo gjykatë, të dënohet”, ka deklaruar ai.
Hashim Thaçi u dënua më 17 nëntor me 17 muaj burgim për vepra që lidhen me pengimin e drejtësisë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës. Sipas aktgjykimit, ai kishte zbuluar informacione konfidenciale për dëshmitarë gjatë vizitave në paraburgim në vitin 2023 dhe kishte përdorur vizitorët për të përcjellë udhëzime lidhur me dëshmitë në procesin për krime lufte.
Në të njëjtën çështje, Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj u dënuan me nga 12 muaj burgim, dënime që u konsideruan të shlyera me kohën e kaluar në paraburgim. Isni Kilaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, ndërsa Hajredin Kuçi u dënua me një muaj burgim me kusht, me periudhë prove prej një viti.
Gjykata e shpalli Thaçin të pafajshëm për tentativën për pengim të personave zyrtarë përmes veprimit të përbashkët me Kilajn, por e dënoi për shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës.
Dënimi prej 17 muajsh është i veçantë nga çështja për krime lufte, në të cilën Thaçi u dënua me 25 vjet burgim më 16 shtator. Të dy vendimet janë të shkallës së parë dhe mund të apelohen.