Politike
Rama i kalon tenderat te inteligjenca artificiale: Ne ulëm në mënyrë drastike procedurat pa garë
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, duke njoftuar se sistemi do të mbështetet edhe te inteligjenca artificiale për të thjeshtuar procedurat dhe për të reduktuar burokracinë për bizneset.
Gjatë prezantimit, Rama tha se përmes sistemit të ri, të dhënat e bizneseve do të përpunohen nga platforma Diella, duke krijuar një dosje virtuale që do të integrojë informacionin nga më shumë se 40 regjistra publikë. Sipas tij, kjo do t’u mundësojë kompanive të aplikojnë për tendera pa pasur nevojë të mbledhin dokumente të shumta nga institucione të ndryshme.
Kryeministri premtoi më shumë transparencë, shpejtësi dhe ulje të kostove, ndërsa theksoi se inteligjenca artificiale do të ndihmojë edhe në hartimin e specifikimeve teknike dhe përllogaritjen e fondeve limit.
Rama iu përgjigj gjithashtu kritikave për problematikat në tenderat publikë, duke argumentuar se rastet që bëhen publike nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht funksionimin e të gjithë sistemit. Ai krahasoi situatën me sektorin e shëndetësisë, duke thënë se një ngjarje negative nuk duhet të errësojë mijëra procese të tjera që zhvillohen normalisht.
Në mbështetje të argumentit të tij, Rama përmendi të dhënat për procedurat pa shpallje paraprake dhe me negocim të drejtpërdrejtë. Sipas shifrave të prezantuara prej tij, këto procedura përbënin 31% të totalit në vitin 2012, ndërsa në vitin 2025 kishin zbritur në 2.4%.