Politike
Diella bëhet me “shok”/ Rama prezanton Gjonin: Avatari i ri në prokurimet publike
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se platformës Diella, e cila do të përfshihet në proceset e prokurimit publik, pritet t’i bashkohet së shpejti edhe një sistem tjetër me emrin Gjon.
Gjatë prezantimit të modelit të ri të Prokurimeve të Përqendruara, Rama tha se Diella dhe Gjoni do të marrin pjesë në një sërë procesesh prokurimi, me synimin për të rritur kontrollin, transparencën dhe besueshmërinë e procedurave.
Sipas kryeministrit, edhe bizneset që humbasin një tender do të kenë mundësi të kontrollojnë manualisht çdo fazë të procesit dhe të verifikojnë mënyrën se si është marrë vendimi. Ai theksoi se procesi nuk do të jetë i mbyllur brenda platformës së inteligjencës artificiale dhe se vendimmarrja përfundimtare do të mbetet në duart e njeriut.
Rama përmendi edhe debatin e hapur nga gazeta amerikane “New York Times” për Diellën, duke nënvizuar se synimi është që teknologjia të shërbejë si instrument mbështetës dhe jo si zëvendësuese e vendimmarrjes njerëzore.
“Kam besim që kur Diella bashkë me Gjonin, i cili do të shfaqet së shpejti në këtë fushë, që do të merret me një sërë procesesh prokurimesh. Kur Diella dhe Gjoni do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, besoj dhe dua të shpresoj që do të fitojë bindja se ka fitues me të drejtë dhe ka humbës me meritë. Humbësit do ti kontrollojnë një më një fletat e procesit. Sepse procesi do të jetë i kontrollueshëm manualisht. Madje New York Times hapi debat për Diellën. Nuk do të ketë një proces të mbyllur në ekranin e Diellës, po një proces ku çdokush që do të ketë pretendime mund do ta ndjekin manualisht. Vendimmarrja do të jetë përsëri e njeriut”, tha kreu i qeverisë.