✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Goditje në ‘zemër’ të sigurisë amerikane, fiket rrjeti i NSA-së!

Një ndërprerje e rëndësishme teknologjike është raportuar në Shtetet e Bashkuara, këtë herë në Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA). Rrjeti i brendshëm i komunikimit të klasifikuar, i njohur si “NSA Net”, ka dalë jashtë funksionit, duke ngritur pikëpyetje mbi shkakun dhe ndikimin e këtij incidenti.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, ky rrjet përdoret nga punonjësit e agjencisë për shkëmbimin e informacionit të klasifikuar. Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë përmasat e ndërprerjes dhe arsyet që çuan në daljen e tij jashtë funksionit.

Deri në momentin e raportimit, nuk kishte prova që të tregonin se bëhej fjalë për një sulm kibernetik. Ndërkohë, NSA nuk kishte dhënë ende një koment zyrtar mbi situatën.

Ngjarja vjen pas një serie ndërprerjesh dhe defektesh teknologjike të raportuara në SHBA gjatë ditëve të fundit. Një problem në shërbimet e Microsoft shkaktoi vështirësi në përdorimin e Outlook dhe Teams, ndërsa një defekt në sistemet e komunikimit të kontrollit ajror të FAA-së solli ndërprerje dhe vonesa në fluturime.

Probleme u raportuan gjithashtu në shërbimet bankare të JPMorgan Chase dhe në sistemet e kompanisë ajrore United Airlines.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se deri tani nuk ka prova që këto incidente të kenë lidhje me njëri-tjetrin apo të jenë pjesë e një sulmi të koordinuar kibernetik. As për ndërprerjen e rrjetit të NSA-së nuk është konfirmuar ndonjë lidhje me problemet e tjera.

Rënia e një sistemi që shërben për komunikimin e informacionit të klasifikuar të inteligjencës amerikane e bën incidentin veçanërisht të ndjeshëm. Shkaku i ndërprerjes dhe koha e rikthimit të plotë të shërbimit mbeten ende të paqarta.

Advertisement