Politike
Projekti hekurudhor Durrës-Prishtinë-Nish/ Rama fton Japoninë në investim
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar para një përfaqësie të sipërmarrjes japoneze idenë për përfshirjen e Japonisë në projektin e hekurudhës që synon të lidhë Durrësin me Prishtinën dhe më pas me Nishin, duke krijuar një korridor transporti drejt Europës Qendrore.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Kryeministri, Rama bëri të ditur se këtë mundësi e ka diskutuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij, përfshirja e investitorëve japonezë mund të jetë një mundësi e rëndësishme për realizimin e projektit.
Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se hekurudha nuk ka vetëm rëndësi ekonomike dhe tregtare, por edhe strategjike për sigurinë rajonale dhe NATO-n. Në këtë drejtim, ai përmendi projektin e Portit të ri të Durrësit, i cili sipas tij do të ketë edhe një degë të dedikuar për veprimtaritë ushtarake dhe ato të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Rama u bëri thirrje përfaqësuesve japonezë që ta shqyrtojnë mundësinë e investimit dhe bashkëpunimit, duke deklaruar se Shqipëria dhe Kosova janë të gatshme të punojnë me partnerë nga Japonia për të vlerësuar realizimin e projektit.
Deri tani bëhet fjalë për një mundësi bashkëpunimi të propozuar nga kryeministri, ndërsa nuk është bërë e ditur nëse pala japoneze ka shprehur interes konkret apo në çfarë kushtesh mund të përfshihej në projekt