✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

“Kjo është politikë, jo drejtësi”, Thaçi sfidon vendimin e Hagës

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar menjëherë pas shpalljes së vendimit të dytë dënues ndaj tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Brenda sallës së gjyqit, pasi iu shqiptua dënimi me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë, Thaçi e kundërshtoi vendimin me deklaratën: “Kjo është politikë, jo drejtësi”.

Pakënaqësinë ndaj vendimit e ka shprehur edhe djali i tij, Endriti, i cili publikoi një fotografi të të atit me mbishkrimin: “Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”. Kjo është një shprehje që vetë Thaçi e kishte përdorur në vitin 2023.

Ndërkohë, në Prishtinë, para zyrës së Bashkimit Evropian, u zhvillua një aksion simbolik kundër vendimit të Gjykatës Speciale. Pjesëmarrësit ngritën pyetjen: “Evropë, ku është drejtësia?”, duke shprehur kundërshtimin ndaj dënimit dhe duke ngritur pretendime për standarde të dyfishta në drejtësinë ndërkombëtare.

Aktivisti Çlirim Haziri e cilësoi vendimin si të padrejtë, duke krahasuar dënimin e Thaçit me trajtimin e ish-zyrtarëve serbë. Sipas tij, po dënohet një person që luftoi për çlirimin e Kosovës, ndërsa përgjegjësit e agresionit serb nuk janë trajtuar me të njëjtat standarde.

Edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e kundërshtoi vendimin. Përfaqësuesi i saj, Xhavit Jashari, deklaroi se aktgjykimi është i papranueshëm, ashtu siç, sipas organizatës, ka qenë i papranueshëm i gjithë procesi gjyqësor.

Reagime pati edhe nga Partia Demokratike e Kosovës. Ish-kryetari i saj, Bedri Hamza, shkroi se Thaçit mund t’i mohohet liria dhe mund të dënohet, por, sipas tij, nuk mund t’i hiqet roli si një nga protagonistët kryesorë të historisë së Kosovës.

Ndërsa sekretarja e përgjithshme e PDK-së deklaroi se përgjigjja ndaj asaj që e cilësojnë padrejtësi do të jetë qëndresa, mobilizimi dhe përkushtimi shtetëror e kombëtar.

Në anën tjetër, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka mirëpritur vendimin dhe ka paralajmëruar vijimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale për veprat që lidhen me pengimin e drejtësisë.

Hashim Thaçi u dënua me 17 muaj burgim për pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Ky dënim do të kryhet veçmas nga ai në çështjen për krime lufte, ku Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim. Në të njëjtin proces për pengim të drejtësisë, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u dënuan me nga 12 muaj burgim, por dënimet u konsideruan të shlyera me kohën e kaluar në paraburgim. Hajredin Kuçi u dënua me kusht, ndërsa Isni Kilaj u shpall i pafajshëm.

Advertisement