✦
Thinking ...
Connect with us

Pinknews

“Kush e ka Topin?”/ Lori Hoxha bën deklaratën e fortë: Topin e kam unë, madje më pëlqen ta kem

Top Channel ka shënuar 25-vjetorin e themelimit me një organizim ku morën pjesë rreth 600 profesionistë nga platformat e ndryshme të grupit mediatik, përfshirë Top News, radiot, DigitAlb dhe platformat digjitale. Në këtë ngjarje u rikthyen në vëmendje historiku i televizionit si dhe planet për të ardhmen e këtij grupi mediatik.

Gjatë fjalës së saj para të pranishmëve, drejtuesja e televizionit, Lori Hoxha, u ndal te ecuria e kompanisë, investimet e kryera dhe synimet për zgjerim në tregun mediatik. Në fjalën e saj, ajo u shpreh: “Ja ku jemi. 25 vjet më vonë. Dhe, për ndonjë arsye që vazhdon t’i habisë disa, ne nuk po bëhemi më të vegjël. Po bëhemi më të mëdhenj. Në një kohë kur shumë njerëz kanë humbur besimin tek e ardhmja, ne vazhdojmë të investojmë në të. Kur mediat tërhiqen, ne po hedhim hapin tjetër. Kur të tjerët pyesin çfarë duhet të kursejnë, ne pyesim çfarë mund të krijojmë. Dhe unë e kuptoj pse kjo duket e çuditshme. Sepse shpesh njerëzit përpiqen t’i kuptojnë zgjedhjet tona me mënyrën e tyre të të menduarit. I matin me interesat e tyre. Me frikërat e tyre. Me kufijtë e tyre. Me atë që do të kishin bërë vetë në vendin tonë. Dhe sigurisht që nuk u dalin llogaritë”.

Më tej, Lori Hoxha trajtoi çështjen e parimeve editoriale, lirisë dhe vlerave mbi të cilat mbështetet kompania, duke deklaruar: “Si ia shpjegon dikujt vlerën e diçkaje që për ty nuk ka çmim? Si ia shpjegon bindjen dikujt që në çdo vendim kërkon një marrëveshje? Si ia shpjegon lirinë dikujt që e sheh gjithçka si një shkëmbim? Nuk mundesh”. Ajo nënvizoi se ruajtja e identitetit mbetet kyçe: “Në një botë ku pothuajse gjithçka mund të blihet, të shitet, të negociohet, ne kemi ende gjëra që nuk pranojmë t’u vendosim çmim. Besimin. Ndërgjegjen. Lirinë për të bërë punën tonë. Emrin që mbajmë dhe atë duam të mbrojmë. Dhe nuk kemi nevojë që të gjithë ta kuptojnë menjëherë. Koha do ta tregojë”. Mbrëmja shërbeu gjithashtu për të kujtuar themeluesin Dritan Hoxha dhe trashëgiminë e lënë prej tij.

Në fjalimin e saj u veçua edhe marrëdhënia me ekipin e punonjësve, ku ajo u shpreh: “Prandaj, sot e them pa asnjë hezitim. Po. Top Channel është një familje. Jo sepse jemi të njëjtë. Por sepse, kur vjen momenti për të zgjedhur mes asaj që është e lehtë dhe asaj që është në lartësinë e standardit tonë, ne e njohim njëri-tjetrin nga zgjedhja. Dhe kjo është arsyeja pse ju besoj kaq shumë. E di çfarë lloj njerëzish jeni. Dhe për këtë, ju falënderoj. Ju falënderoj që nuk kënaqeni kollaj. Qed dini të më kundërshtoni, por keni besim tek unë edhe kur nuk jemi dakord. Sepse unë nuk dua të drejtoj një kompani njerëzish që mendojnë si unë. Dua të drejtoj një kompani njerëzish që kanë po aq guxim sa unë për të menduar ndryshe”.

Në përfundim të fjalës së saj, drejtuesja e televizionit u ndal te shprehja e njohur që lidhet me emrin e televizionit, duke u shprehur: “Ka një shprehje që e kemi dëgjuar shpesh. Kush e ka Topin? Dhe po. Topin e kam unë. Madje më pëlqen ta kem. Por çdo ditë, në çdo studio, në çdo redaksi, në çdo program, unë jua pasoj juve. Jo sepse nuk di çfarë të bëj me të. Por sepse e di shumë mirë çfarë mund të bëjmë bashkë. Ju dua shumë. Faleminderit që më besoni”. Festimi i 25-vjetorit mblodhi punonjësit në një mbrëmje festive që pasoi rrugëtimin shumëvjeçar të kompanisë.

Advertisement