Politike
Berisha shkund themelet e politikës: Rama dhe Balluku e duan Veliajn të vdekur
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku se po pengojnë ndërhyrjen mjekësore për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burgun e Fierit me një frakturë në këmbë.
Në një reagim publik, Berisha e ka cilësuar çnjerëzor qëndrimin ndaj Veliajt, duke pretenduar se atij po i mohohet trajtimi i nevojshëm shëndetësor. Kreu i PD-së ka drejtuar akuza edhe ndaj prokurorëve, të cilët i kritikon për heshtjen përballë kësaj situate.
Berisha u është drejtuar gjithashtu institucioneve ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe Kryqin e Kuq, duke kërkuar ndërhyrjen e tyre urgjente për të garantuar që Veliaj të marrë trajtimin mjekësor.
Reagimi i plotë:
Qëndrim çnjerëzor i dyshes famëzezë Rama-Lubia!
Lubia dhe Palloshi i saj i gjatë Edvin Balluku rikthejnë standardet më të zeza e më çnjerëzore të diktaturës më të egër në qëndrimin ndaj të burgosurit Erion Veliaj.
Të dashur miq, avokati i të burgosurit Erion Veliaj dhe së fundmi edhe vetë ai, me një letër drejtuar Lubi Ballukut, akuzojnë Lubinë dhe Ramën se nuk i lejojnë ndërhyrjen e domosdoshme në këmbën e thyer, si ndëshkim për kundërshtimin e urdhrave të tyre për t’ia dorëzuar Bashkinë e Tiranës benjaminit të tyre, Arbër Hajdari. Me këtë qëndrim çnjerëzor ndaj një të burgosuri me frakturë të kërcirit, dyshja famëzezë Lubi dhe Edvin Balluku dëshmojnë se e duan të vdekur sa më parë Erion Veliajn.
Dënoj me forcën më të madhe këtë qëndrim të standardeve më të zeza, shtazore, të bastardëve të bllokmenëve hoxhistë, por edhe qëndrimin absolutisht çnjerëzor të prokurorëve të çështjes, të cilët heshtin para këtij krimi shtetëror. U bëj thirrje Komitetit Antitorturë, Komisionerëve për të Drejtat e Njeriut pranë KiE-së, OSBE-së, OKB-së dhe Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar trajtimin ligjor të të burgosurit Erion Veliaj, jeta e të cilit është në rrezik të lartë nga dyshja shtazore Lubi dhe Edvin Balluku.