✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Mbi 20 milionë kopje të shitura GTA 6/ Policia amerikane: Mos i provoni krimet e ekranit në jetën reale

Videoloja më e shumëpritur e viteve të fundit, Grand Theft Auto 6 (GTA 6), ka shkaktuar një mani të vërtetë në Shtetet e Bashkuara. Miliona njerëz kanë nxituar ta blejnë, disa kanë munguar edhe në punë apo në shkollë për ta luajtur, ndërsa policia amerikane ka nisur një fushatë të pazakontë paralajmërimesh: mos bëni në jetën reale atë që bëni në lojë!

Për ata që nuk e njohin, GTA është një videolojë ku lojtari futet në rolin e personazheve të botës së krimit. Ai mund të vjedhë makina, të marrë pjesë në gara të paligjshme, të përdorë armë, të përleshet me njerëz dhe madje të qëllojë policët. Në lojë, edhe nëse personazhi vdes apo arrestohet, mund ta nisësh gjithçka nga e para.

Por policia amerikane po u kujton fansave se jeta jashtë ekranit nuk funksionon kështu.

“Luajeni lojën, por mos luani me veten”, paralajmëroi policia e Atlantës, ndërsa ajo e Denverit kujtoi se arratisja nga policia është ende krim.

Në Teksas, një efektiv i policisë së San Antonios u shfaq në një video me një mesazh për lojtarët:

“Të sulmosh dikë për të fituar pikë shtesë nuk ia vlen.”

Edhe policia e San Juanit, në të njëjtin shtet, publikoi një video ditën kur GTA 6 doli në treg.

“Duhet të flasim. E dimë që jeni të emocionuar dhe që e keni pritur gjatë, por çfarë ndodh në GTA 6, mbetet në GTA 6”, ishte mesazhi i saj.

Në Arizona, policia zgjodhi një tjetër mënyrë për t’ua shpjeguar fansave dallimin mes lojës dhe realitetit:

“Në jetën reale, ligjet nuk kanë kode që të shpëtojnë nga pasojat, nuk mund të ringjallesh dhe as ta nisësh misionin nga e para.”

Paralajmërimet vijnë pas suksesit të jashtëzakonshëm të lojës. GTA 6 ka shitur mbi 20 milionë kopje në mbarë botën brenda javës së parë, ndërsa vetëm ditën e parë ka siguruar 2.36 miliardë dollarë të ardhura nga shitjet.

Loja është krijuar nga kompania Rockstar Games dhe zhvillohet në një botë imagjinare të frymëzuar nga shteti amerikan i Floridës. Publikimi i saj i dha fund një pritjeje 13-vjeçare për fansat e serisë.

Por entuziazmi ka rikthyer edhe debatin nëse videolojërat e dhunshme mund të ndikojnë në sjelljen e njerëzve.

Në televizionin amerikan Fox News u ngrit shqetësimi se lojëra të tilla mund ta bëjnë krimin të duket më i pranueshëm, ndërsa prezantuesja Rosanna Scotto pyeti nëse ato mund t’i nxisin të rinjtë të përdorin armë që në moshë të hershme.

Megjithatë, shkenca nuk ka arritur në përfundimin se videolojërat shkaktojnë dhunë në jetën reale.

Shoqata Amerikane e Psikologjisë, në një qëndrim të vitit 2020, theksoi se dhuna është një fenomen kompleks, që lidhet me shumë faktorë dhe nuk mund t’u atribuohet thjesht videolojërave. Sipas saj, disa studime kanë gjetur lidhje me sjellje më agresive, por kjo nuk do të thotë se lojtarët shndërrohen në kriminelë.

Advertisement