Aktualitet
Studentët hapin fazën e re të protestës: Me Ramën nuk ka dialog!
Lëvizja Studentore Kombëtare ka paralajmëruar një fazë të re të organizimit të protestës, duke prezantuar qëndrimet dhe synimet e saj në një deklaratë për mediat, të mbajtur në ambientet e Universitetit Politeknik të Tiranës.
Studentët deklaruan se lëvizja e tyre nuk synon të zëvendësojë revoltën qytetare, por të jetë vazhdimësi e saj, përmes një organizimi më të strukturuar dhe dinamik.
Ata theksuan se synojnë të ndërtojnë një lëvizje të pavarur dhe demokratike, në bashkëpunim me qytetarët dhe aktorët e tjerë që duan t’i bashkohen kauzës, pa përjashtuar asnjë grup apo individ.
Megjithatë, studentët vendosën një vijë të kuqe sa i përket dialogut me kryeministrin Edi Rama, duke përjashtuar çdo mundësi negociatash me të. Sipas qëndrimit të tyre, protesta do të vijojë në një fazë të re, me objektiv forcimin e organizimit dhe zgjerimin e mbështetjes qytetare.
Studenti: Protesta hyri në një fazë të re më dinamike. Ne kërkojmë hetim të pavarur për dhunën. Lëvizja studentore kombëtarë është vijimësi e revoltës qytetare dhe jo zëvendësim i saj duke i shtuar zërin e shqetësimit protestës. Ky organizim ka lindur nga studentët dhe është totalisht i pavarur.
Mesazhi ynë është i përbashkët me atë të protestës qytetarë. Rinia shqiptare duhet të ketë mundësi për të jetuar me dinjitet. Arsim cilësor punësim varet nga llogaridhënia e institucionale. Ne paraqesim për diskutim publik propozimet tona. Ne synojmë një organizimi studentor të pavarur demokratik në bashkëpunim me qytetarët dhe të gjithë aktorë të interesuar pa cënuar askënd.
Reforma e vërtetë nuk matet vetëm nga ndryshimi i emrave në pushtet, por nga cilësia e rregullave që e kufizojnë atë, mbrojnë votën dhe garantojnë llogaridhënien. Ne synojmë një organizim studentor të pavarur dhe të qëndrueshëm, në bashkëpunim me qytetarët dhe të gjithë aktorët e interesuar, pa cenuar kontributin e askujt.
Pas bisedimeve me studentët, do të ndërmarrim nisma konkrete për realizimin e kërkesave tona, në bashkërendim me aspiratat e protestuesve në të gjithë Shqipërinë. Ne mbrojmë debatin e hapur, pluralizmin, protestën paqësore dhe të drejtën për të protestuar.
Studentë, thirrja është për ju! Ky organizim nuk ka kryetar dhe as ne sot nuk jemi të tillë. Nuk duam të flasim në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë të na bashkoheni. Duam të dëgjojmë zërat tuaj, mendimet dhe problematikat që keni, shpresat dhe aspiratat për të ardhmen. Jo vetëm tuajat, por edhe të gjithë Shqipërisë. Duam të kultivojmë kulturën e demokracisë që ka munguar deri më sot.
Lëvizja Studentore Kombëtare po ngrihet sepse ne nuk duam të largohemi nga atdheu ynë. Duam të ndërtojmë të ardhmen dhe të ndërtojmë një Shqipëri më të drejtë. Të fillojmë punën pa humbur kohë, të gjithë së bashku.