✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Pa kryetar dhe pa parti/ Studentët kanë zyrtarizuar krijimin e Lëvizjes Studentore Kombëtare

Studentët kanë zyrtarizuar krijimin e Lëvizjes Studentore Kombëtare, një organizim të ri që synon të marrë rol aktiv në protestat qytetare dhe të artikulojë kërkesa për ndryshime politike, institucionale dhe arsimore në Shqipëri.

Përmes një deklarate publike, përfaqësuesit e lëvizjes theksuan se organizimi i tyre nuk synon të zëvendësojë revoltën qytetare, por ta çojë atë më tej përmes propozimeve konkrete dhe një strukture të pavarur studentore.

“Lëvizja studentore kombëtare është vijimësi e natyrshme e revoltës qytetare, jo zëvendësim i saj. Si dy krahë të të njëjtit trup, synojmë të përforcojmë njëri-tjetrin në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar”, thuhet në deklaratë.

Studentët rikujtuan se protestat qytetare nisën më 31 maj 2026, ndërsa prej 13 tetorit, me përfshirjen e gjimnazistëve dhe studentëve, ato kanë hyrë në një fazë të re mobilizimi.

Një prej kërkesave të tyre lidhet me hetimin e pavarur të rasteve të pretenduara të përdorimit joproporcional të forcës nga policia gjatë protestave. Ata kërkojnë transparencë institucionale dhe respektimin e së drejtës për tubime paqësore.

“Kërkojmë hetim të pavarur, të paanshëm dhe transparent të çdo pretendimi për përdorim joproporcional të forcës, si dhe respektimin e plotë të të drejtës për protestë paqësore”, theksojnë studentët.

Një nga mesazhet kryesore të lëvizjes lidhet me largimin e të rinjve nga vendi dhe krijimin e kushteve për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

“Rinia shqiptare nuk duhet të zgjedhë më ndërmjet së ardhmes së saj dhe atdheut. Ajo duhet të ketë mundësinë dhe mbështetjen për të jetuar me dinjitet, për t’u arsimuar, punuar, ndërtuar një jetë të suksesshme dhe krijuar familje në Shqipëri”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë, studentët theksojnë gjithashtu rëndësinë e debatit të hapur dhe të përfshirjes së qytetarëve në diskutimet për të ardhmen e vendit. “Mbrojmë debatin e hapur, pluralizmin, protestën paqësore dhe të drejtën për të protestuar”, shprehen ata, duke njoftuar se do të paraqesin për diskutim publik propozimet e tyre për ndryshime politike dhe institucionale.

Lëvizja njofton se do të paraqesë për diskutim publik propozime për ndryshime politike dhe institucionale, të hartuara në bashkëpunim me qytetarë, intelektualë, profesionistë dhe pedagogë.

“Reforma e vërtetë nuk matet vetëm nga ndryshimi i emrave në pushtet, por nga cilësia e rregullave që e kufizojnë atë, mbrojnë votën dhe garantojnë llogaridhënien”, shprehen studentët.

Në deklaratë theksohet se organizimi nuk ka kryetar dhe se synimi është përfshirja e sa më shumë studentëve në diskutime dhe vendimmarrje.

“Ky organizim, nuk ka kryetar, e as ne nuk jemi të tillë. Ne nuk duam të flasim sot në emrin tuaj, por t’ju ftojmë si shokët tanë, të na bashkoheni”, thuhet në thirrjen drejtuar studentëve.

Në përfundim, Lëvizja Studentore Kombëtare thekson se do të ndërmarrë nisma dhe projekte konkrete për realizimin e kërkesave të saj, duke mbrojtur protestën paqësore, pluralizmin dhe debatin e hapur.

“Lëvizja Studentore Kombëtare po ngrihet sepse ne nuk duam të largohemi nga atdheu ynë. Duam të ndërtojmë një të ardhme këtu, dhe duam të kemi një rol aktiv në ndërtimin e një Shqipërie më të drejtë, ku të rinjtë nuk kanë pse të ikin”, përfundon deklarata.

 

Advertisement