Aktualitet
Kushtetuesja pezullon gjobat për protestuesit që bllokojnë rrugët, studentët: Fitore para 28 Nëntorit
Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën për pezullimin e dispozitës që parashikon gjoba për protestuesit që bllokojnë rrugët gjatë tubimeve. Vendimi është marrë më 26 nëntor, me shumicë votash, ndërsa shqyrtimi i çështjes do të bëhet me përparësi.
Lajmi është bërë i ditur nga studentët, të cilët së bashku me disa organizata kanë kundërshtuar aktin normativ që ndryshoi ligjin për tubimet. Sipas tyre, Gjykata ka pezulluar zbatimin e dispozitës që parashikon gjobitjen e personave që marrin pjesë në bllokimin e rrugëve gjatë protestave.
Studentët e kanë cilësuar vendimin si një fitore përpara protestës së paralajmëruar më 28 Nëntor, duke theksuar se kërkesa e tyre në Gjykatën Kushtetuese synon shfuqizimin e të gjithë aktit normativ.
Në reagimin e tyre, ata nënvizojnë se vendimi nuk është përfundimtar për çështjen, por e konsiderojnë pezullimin si një tregues se pretendimet e ngritura meritojnë shqyrtim.
Kërkesa është paraqitur në bashkëpunim me Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania.
Vendimi vjen dy ditë përpara protestës mbarëkombëtare të paralajmëruar për 28 Nëntorin, ndërsa studentët kanë konfirmuar se do të vijojnë kundërshtimin e tyre ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.