Politike
“Rama në burg, Berisha në burg”/ Braçe ia “përplas në fytyrë” Berishës në Kuvend
Kryedemokrati Sali Berisha dhe deputeti socialist Erion Braçe janë përfshirë në replika të ashpra në Kuvend, lidhur me protestat e zhvilluara në Tiranë kundër Qeverisë.
Duke e quajtur Berishën me ironi një ‘luan’, Braçe i përmendi ish-kryeministrit thirrjet e protestuesve në Tiranë ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’.
“Luanin që sapo dëgjova nuk arrij ta kuptoj pse këtu nuk thërret ‘Rama në burg Berisha në burg’, por e bën atje, dhe këtu nuk e bën. Cila është arsyeja që një luan trim nuk bërtet edhe këtu? Ky është një problem moral. Si mundet një pedagog të vijë këtu të thotë ‘po do ta djeg ministrinë e Arsimit se e dua’, ky është një problem i madh moral. Dhe të thuash që me 28 nëntor protesta është madhështore kur ajo nuk ka ndodhur është një problem logjik që nuk më rri”, tha mes të tjerash Braçe.
Nga ana tjetër, Berisha e ‘këshilloi’ Braçen që të veshë fustanin e Elisa Spiropalit. Kryedemokrati tha se Qeveria po ndryshon formën e trotuareve, vetëm që protestuesit sipas tij, mos të përdorin pllakat e trotuareve për të sulmuar institucionet.
“Kam vetëm një këshillë, shko e vish fustanin e Elisës, se ajo meriton ato të tjerat. Me ty e kam. Mos provokoni qytetarët, keni filluar provokacione të ulëta, ju fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo ngritja e trotuareve që po bëni? Keni frikë se protestuesit do marrin pllakat e trotuareve. Pse i provokoni protestuesit, ata kanë qenë paqësor. Pse po çoni kudo trotuaret? Po e bëni për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani. Ngrini trotuaret tani. Nëse ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh pemë për të hedhur vezë, do prisni pemët e Tiranës? Ndaloni urgjentisht ngritjen e trotuareve, mos prekni trotuaret”, tha Berisha.