Aktualitet
Alarm për çmimet/ Ushqimet arrijnë nivelin më të lartë që nga 2022
Çmimet e ushqimeve në tregjet botërore vijuan rritjen edhe gjatë shtatorit, duke arritur nivelin më të lartë në gati katër vjet. Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të OKB-së, FAO, rritja po ndikohet nga vështirësitë në transportin detar dhe pasiguria lidhur me kushtet e motit.
Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve i FAO-s u rrit në 136 pikë në shtator, nga 134 pikë në gusht, duke shënuar nivelin më të lartë që prej nëntorit 2022.
Rritjen më të fortë e kanë shënuar drithërat, sheqeri dhe vajrat vegjetale. FAO lidh shtrenjtimin e sheqerit me shqetësimet për ndikimin e një fenomeni të fortë El Niño, ndërsa çmimet e grurit janë ndikuar nga vështirësitë në transportin detar në Detin e Zi.
Kryeekonomisti i FAO-s, Maximo Torero, ka paralajmëruar se ndërprerjet në rrugët kryesore të transportit, përfshirë Ngushticën e Hormuzit dhe Detin e Zi, të kombinuara me goditjet klimatike, mund të mbajnë nën presion çmimet globale të mallrave.
Sipas tij, nëse këto presione vijojnë, kostot më të larta mund të reflektohen edhe te konsumatorët, veçanërisht në vendet që mbështeten në importet e ushqimeve dhe energjisë.
Ndërkohë, FAO ka lënë pothuajse të pandryshuar parashikimin për prodhimin global të drithërave për vitin 2026, por ka ulur pritshmëritë për tregtinë botërore, duke iu referuar kufizimeve në rrugët detare të transportit në Detin e Zi.