Connect with us

Kosova

Analistët në Ukrainë kundër “modelit të Kosovës” për Donbasin

Propozimi i ligjëruesit në Universitetin Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara, Edward P. Joseph, për zbatimin e parimeve të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë pas luftës së vitit 1999, ka nxitur debat mes vëzhguesve lidhur me mundësinë e aplikimit të këtij modeli në Ukrainë.
Përderisa disa intelektualë perëndimorë e cilësojnë kompromis të dhimbshëm, por të dobishëm për ndaljen e luftës, reagimi ka qenë kryesisht negativ në Ukrainë. Rezoluta 1244 e OKB-së e nxori jashtë diskutimit çështjen e sovranitetit, pa e mohuar apo shpallur pavarësinë e Kosovës, por duke i dhënë fund konfliktit dhe duke i hapur rrugë administrimit ndërkombëtar dhe pranisë së trupave paqeruajtëse në Kosovë.
Shumë ukrainas i janë përgjigjur këtij propozimi ashtu sikurse shkrimtarja e njohur, Oksana Zabuzhko, e cila në një përgjigje për Foreign Policy ka theksuar se nuk e sheh të vlefshëm për diskutim serioz as këtë dhe asnjë plan tjetër paqeje që synon ruajtjen e shtetit rus në formën e tij aktuale. Sipas saj, plane të tilla nuk i shërbejnë sigurisë globale, pasi nuk adresojnë natyrën thelbësore të agresionit rus.
“Nuk mendoj se ky ‘plan paqeje’ – ashtu si çdo plan tjetër që synon ruajtjen e shtetit rus në gjendjen e tij aktuale, në vend që ai të shpërbëhet në interes të sigurisë globale -ia vlen për një diskutim serioz”, ka deklaruar Zabuzhko.
Në përgjithësi, ukrainasit priren ta refuzojnë menjëherë krahasimin me Kosovën. Volodymyr Horbach, drejtor i Institutit për Transformimin e Euroazisë Veriore, ka nënvizuar se modeli i Kosovës nuk mund të shërbejë si zgjidhje për situatën në Ukrainë.
“Precedenti i Kosovës nuk mund ta zgjidhë problemin e agresionit dhe pushtimit rus të Ukrainës. Në Kosovë ka pasur konflikt etnik, jo pushtim të jashtëm dhe një përpjekje për aneksim”, ka konsideruar Horbach për Foreign Policy.

Edhe John Feffer nga Instituti për Studimin e Politikave ka vlerësuar se një plan i tillë paqeje mund t’i duket më i pranueshëm Ukrainës për shkak të pozitës së saj të vështirë në terren. Megjithatë, ai shpreh skepticizëm se modeli i Kosovës do të ishte i pranueshëm për Rusinë.
“Rusia tashmë i ka inkorporuar katër rajone në përbërjen e saj – Donbasin, Hersonin dhe Zaporizhjën. Rusia tashmë ka vendosur për çështjen e sovranitetit, të paktën nga këndvështrimi i saj”, ka argumentuar Feffer.

Advertisement