✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

COSTA: TANI ESHTE KOHA PER ZGJERIMIN E MADH

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, e ka cilësuar zgjerimin si “investimin më të mirë gjeostrategjik” që Bashkimi Evropian mund të bëjë për të ardhmen e tij, duke deklaruar se e ardhmja e gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor është brenda Unionit.

Në një fjalim në Kolegjin e Evropës në Natolin, Costa e lidhi zgjerimin jo vetëm me integrimin ekonomik dhe forcimin e demokracisë, por edhe me sigurinë e kontinentit.

“Zgjerimi nxit progresin ekonomik, forcon demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ai zgjeron hapësirën tonë të vlerave, prosperitetit dhe përgjegjësisë së përbashkët”, tha Costa.

Ai solli si shembull zgjerimet e mëparshme të BE-së, duke theksuar se ato kanë shtuar më shumë se 100 milionë njerëz në Union dhe mbi 2 trilionë euro në ekonominë e përbashkët.

Sipas Costës, vendet që iu bashkuan BE-së që prej vitit 2004 kanë më shumë se dyfishuar ekonomitë e tyre, ndërsa në vendet e reja anëtare janë krijuar mbi 6 milionë vende pune.

Costa tha se zgjerimi është rikthyer si prioritet gjeostrategjik për Evropën, ndërsa aplikimi i Ukrainës për anëtarësim i ka dhënë një dinamikë të re procesit.

“Ky momentum nuk kufizohet vetëm te Ukraina, por shtrihet te Moldavia dhe të gjashtë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e tyre është brenda Bashkimit Evropian”, deklaroi ai.

Presidenti i Këshillit Evropian theksoi megjithatë se procesi duhet të mbetet i bazuar te merita, me secilin vend kandidat të vlerësuar individualisht sipas progresit dhe rezultateve të tij.

Costa përmendi objektiva konkrete për disa prej kandidatëve. Mali i Zi synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit deri në fund të këtij viti, nëse përmbushen të gjitha kushtet.

Për Ukrainën dhe Moldavinë, ai kërkoi avancim vendimtar të procesit, me synimin që të hapen të gjithë grupkapitujt e negociatave deri në fund të vitit, gjithashtu në varësi të plotësimit të kushteve.

“Duhet të shfrytëzojmë mundësinë që kemi përpara. Duhet të lëmë pas historinë e ndarjes dhe fragmentimit dhe të përqafojmë, njëherë e përgjithmonë, një të ardhme të përbashkët evropiane. Ta bëjmë zgjerimin realitet”, tha Costa.

Advertisement