Politike
Berisha thirrje demokratëve: Bashkohuni në protestë të enjten, pa simbole dhe flamuj partie
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje mbështetësve të PD-së që t’i bashkohen protestës qytetare të së enjtes në Tiranë.
Berisha kërkoi që demokratët të marrin pjesë në protestë pa simbole dhe flamuj të Partisë Demokratike, duke e cilësuar atë si një protestë qytetare.
Në deklaratën e tij, kreu i PD-së tha se protesta do të zhvillohet kundër reformës territoriale, për të cilën pretendon se synon të ndryshojë strukturën e pushtetit vendor.
Sipas Berishës, reforma parashikon shkrirjen e 15 bashkive, duke argumentuar se një ndryshim i tillë prek interesat e qytetarëve.
“Demokrate e demokratë nga e gjithë Shqipëria dhe Tirana do t’i bashkohen dhe do të jenë në protestën qytetare pa simbole, pa flamuj”, u shpreh Berisha.
Ai e lidhi protestën edhe me kundërshtimin ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të PD-së që të marrin pjesë në tubimin e së enjtes.