Rajon
Betimi i Vuçiçit është vetëm show, merr para nga Brukseli dhe strehohet në sqetullat e Rusisë
“Ambicia e treguar nga Serbia për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian është vetëm një show sepse i lejon Beogradit të marrë para nga BE-ja, dhe ironia është se Brukseli është në dijeni të kësaj, por prapë financon Serbinë” – keshtu tha Edward P. Joseph, ekspert për Ballkanin dhe ish-zyrtar i lartë i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.
Në një intervistë për median gjermane, Joseph theksoi se falë kësaj “fasade” Serbia merr para nga BE-ja, përfshirë planin e rritjes, por gjithashtu dhe në të njëjtën kohë përmirëson “partneritetet strategjike” me Rusinë dhe Kinën.
Joseph potencoi se Serbia nuk po lëviz aspak drejt Bashkimit Europian
Sipas tij, kjo duket edhe nga fakti se në 12 vjet si kandidate, Serbia ka hapur 22 nga 35 kapituj në negociatat me BE-në, Shqipëria ka hapur 22 kapituj në një vit si kandidate, dhe Mali i Zi ka mbyllur tashmë 13 kapituj negociatash.
“Është ironike që edhe BE-ja e di që kursi i Beogradit drejt BE-së është një maskaradë, por vazhdon ta financojë atë” – deklaroi Edward P. Joseph.
Në vend që ta largonin Serbinë nga “streha e Vladimir Putinit dhe Xi Jinping, SHBA-të dhe BE-ja i lejuan Serbisë të strehohej në dy sqetulla që përhapin helm anti-evropian”, theksoi Joseph, duke shtuar se Bashkimi Europian është pjesërisht fajtorë.