Aktualitet
BIE MITI I SHQIPTAREVE NE BURGJET BRITANIKE
Për javë me radhë, një shifër u kthye në refren: 63 shqiptarë të dënuar në tre muaj, një shqiptar në burg çdo dy ditë, 9 për qind e popullsisë së burgjeve në Angli dhe Uells.
E përsëritur në mediat britanike dhe më pas e riprodhuar pothuajse mekanikisht në një pjesë të mediave shqiptare, kjo narrativë është paraqitur si fakt i pakontestueshëm, pa u mbështetur në një verifikim të drejtpërdrejtë nga burimet zyrtare,
Por pikërisht ky verifikim, i munguar në shumicën e raportimeve, hedh një dritë krejt tjetër mbi historinë.
Në një përgjigje zyrtare, Ministria e Drejtësisë e Mbretërisë së Bashkuar deklaron se nuk disponon të dhëna për një nga pretendimet kryesore që ka qarkulluar në media.
“Mund të konfirmoj se Ministria e Drejtësisë nuk e mban këtë informacion në lidhje me pyetjen 1”, thuhet në përgjigje, duke shtuar se të dhënat për kombësinë e të dënuarve “nuk mund të nxirren nga sistemet administrative të gjykatave”.
Kjo i referohet drejtpërdrejt pyetjes së mediave nëse është e saktë shifra prej 63 shtetasish shqiptarë të dënuar gjatë periudhës janar-mars 2026.
Me fjalë të tjera, një nga shifrat më të përhapura në diskursin publik nuk konfirmohet nga institucioni përgjegjës për statistikat penale në Mbretërinë e Bashkuar.
Ky zhvillim i jep një kthesë të rëndësishme debatit të hapur që nga fillimi i prillit, ku titujt alarmues në media si The Telegraph dhe The Sun krijuan një narrativë të qartë: shqiptarët si një problem i drejtpërdrejtë në sistemin penal britanik.
Por się u theksua edhe në analizën e 11 prillit, problemi nuk qëndron vetëm tek shifrat, por tek mënyra se si ato përdoren dhe lidhen mes tyre për të ndërtuar një histori të thjeshtuar dhe emocionalisht të ngarkuar.
Në të njëjtën përgjigje, Ministria e Drejtësisë sqaron se disponon të dhëna për përbërjen e popullsisë së burgjeve dhe për trendet ndër vite, por këto statistika publikohen vetëm përmes raporteve zyrtare dhe jo si përgjigje e drejtpërdrejtë për çdo kërkesë individuale.
Një pjesë e këtij informacioni konsiderohet “e aksesueshme në mënyrë të arsyeshme” duke iu referuar publikimeve periodike të serisë “Statistikat Tremujore të Menaxhimit të Kryerësve të Veprave Penale”, ku përfshihen të dhënat për popullsinë e burgjeve dhe hyrjet në sistem.
Megjithatë, për periudhën më të fundit – pikërisht atë që është përdorur për të ndërtuar narrativën mediatike të dhënat nuk janë ende publike.
“Publikimi i këtij informacioni në këtë fazë do të shkelte dispozitat ligjore që rregullojnë publikimin e statistikave zyrtare”, thuhet në përgjigje, duke theksuar se këto të dhëna duhet të publikohen në mënyrë të njëkohshme për të gjithë dhe vetëm pasi të jenë verifikuar plotësisht.
Sipas Ministrisë, statistikat për popullsinë e burgjeve deri në mars 2026 do të publikohen më 30 prill, ndërsa të dhënat për hyrjet në burgje për të njëjtën periudhë do të publikohen më 30 korrik.
Kjo do të thotë se shifrat që kanë qarkulluar deri tani për muajt e parë të vitit 2026 nuk mund të verifikohen në këtë moment nga burimet zyrtare.
Në këtë pikë, hendeku mes raportimit dhe realitetit bëhet i dukshëm.
Siç thekson edhe Migration Observatory pranë Universitetit të Oxford-it, krahasimet mbi kriminalitetin sipas kombësisë janë të kufizuara nga mungesa e të dhënave të sakta mbi madhësinë reale të popullsisë sipas kombësisë.
“Sigurimi i të dhënave të sakta për normat e dënimeve apo burgosjeve sipas kombësisë është shumë i vështirë”, u shpreh eksperti Ben Brindle për Albanian Post.
Edhe kur ekzistojnë tregues për mbipërfaqësim, ata mbeten të vështirë për t’u interpretuar pa kontekst të plotë, si mosha, gjinia apo lloji i veprave penale.
Në këtë kuptim, narrativa e ndërtuar mbi shifra të pjesshme dhe të pakonfirmuara nuk pasqyron kompleksitetin e realitetit.