Connect with us

Kronike

BKH shmang Policinë, plas mosbesimi

Arrestimi i Adi Çobo Bazholit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Durrës ka ndezur debat mbi raportet mes SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit.

Sipas raportimeve në media, Çobo Bazholi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane në kuadër të dosjes “Ura”, ndërsa ndalimi i tij është kryer nga BKH, pa përfshirjen e Policisë së Shtetit. Ai dyshohet për përfshirje në veprimtari kriminale të lidhura me trafik droge dhe grup kriminal.

Gazetarja Klodiana Lala, në një koment të bërë në faqen e saj në Facebook, e ka lexuar këtë lëvizje si një sinjal të fortë të klimës së mosbesimit mes institucioneve ligjzbatuese.

Sipas saj, fakti që BKH ka zbritur vetë në terren për arrestimin e të shumëkërkuarit të parë të operacionit “Ura”, lidhet me dyshimet se Policia e Shtetit mund të dekonspirojë aksionet për kapjen e personave në kërkim.

“Kjo foto dëshmon klimën e thellë të mosbesimit mes SPAK dhe Policisë së Shtetit”, shkruan Lala, duke paralajmëruar se nëse kjo praktikë vijon, BKH mund të ndërhyjë edhe në raste të tjera pa njoftuar më parë policinë.

Në reagimin e saj, gazetarja shkon më tej, duke ngritur dyshimin se operacionet e ardhshme të SPAK dhe BKH mund të prekin edhe nivele politike. Sipas saj, “nesër BKH troket në dyert e politikanëve dhe iu mberthen prangat në duar pa sinjalizuar fare policinë”.

Rasti i Adi Çobos shihet tashmë jo vetëm si një arrestim i rëndësishëm në kuadër të dosjes “Ura”, por edhe si një test për marrëdhëniet mes institucioneve të drejtësisë së re dhe strukturave të Policisë së Shtetit. Raportime të ndryshme kanë theksuar se në operacion nuk ka marrë pjesë Policia e Shtetit, ndërsa BKH ka vepruar në mënyrë të pavarur në terren.

Adi Çobo është përmendur më herët në dosjet e autoriteteve italiane si një nga personat e dyshuar për rol të rëndësishëm në një organizatë kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë. Sipas raportimeve, hetimet italiane e lidhin atë me sigurimin dhe dërgimin e sasive të heroinës dhe kokainës drejt Italisë.

Deri tani, institucionet nuk kanë dhënë një shpjegim publik të plotë mbi arsyet pse Policia e Shtetit nuk është përfshirë në këtë operacion. Megjithatë, komenti i Lalës e vendos arrestimin në një kontekst më të gjerë: atë të besimit të munguar mes SPAK-ut, BKH-së dhe policisë në aksionet sensitive kundër krimit të organizuar.

Advertisement