Aktualitet
Sava Star/ Britania e Madhe i bashkohet aleancës ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci
Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë po konkretizohet me zhvillimin e tre stërvitjeve të përbashkëta gjatë vitit 2026, ndërsa interesimi i aleatëve ndërkombëtarë po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, bëri të ditur më parë se tashmë është dakordësuar një plan trevjeçar bashkëpunimi, që përfshin stërvitje, ndarje eksperiencash dhe koordinim operacional.
Në këtë kuadër, palët kanë lënë të hapur mundësinë për përfshirjen e vendeve të tjera të rajonit dhe partnerëve strategjikë. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka dhënë një përgjigje që, ndonëse nuk konfirmon drejtpërdrejt pjesëmarrjen në këtë nismë trilaterale, sinjalizon një angazhim të vazhdueshëm në rajon. Në të njëjtën linjë, Londra shprehet se synon të mbështesë një nga stërvitjet në rajon, pa specifikuar qartë nëse kjo lidhet drejtpërdrejt me nismën Shqipëri-Kosovë-Kroaci.
Ky formulim lë të hapur interpretimin se Britania mund të përfshihet në mënyrë indirekte apo në kuadër të angazhimeve ekzistuese me aleatët e NATO-s, pa qenë domosdoshmërish pjesë formale e bashkëpunimit trilateral. Ndërkohë, edhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur më herët mbështetje për bashkëpunimin mbrojtës në rajon, duke e cilësuar atë si një hap pozitiv për forcimin e sigurisë.
Në një kontekst sigurie gjithnjë e më kompleks, nisma mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë po shihet si një përpjekje për të thelluar koordinimin strategjik, ndërsa partnerët ndërkombëtarë mbeten të angazhuar por me një qasje të kujdesshme diplomatike.