Connect with us

Bota

Daniel Serwer: Shqipëria mund të hyjë në BE brenda 2 vitesh, pengesë mbeten zhvillimet politike në Europë

Shqipëria ka mundësi reale të përmbushë objektivin e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian, por përveç përmbushjes së kritereve teknike, suksesi do të varet edhe nga klima politike brenda vendeve anëtare të BE-së.

Ky është vlerësimi i profesorit të Universitetit “Johns Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer, i cili në një intervistë analizon zhvillimet më të rëndësishme në Ballkan, nga integrimi europian i Shqipërisë dhe kriza politike në Kosovë, deri te protestat në Serbi, situata në Bosnje-Hercegovinë dhe procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Serwer shprehet optimist se Shqipëria mund të jetë gati teknikisht për anëtarësim në dy vitet e ardhshme, por paralajmëron se vendimi final do të varet nga qëndrimet politike të vendeve kyçe të Bashkimit Europian, si Gjermania dhe Franca.

“Jam pothuajse i sigurt se Shqipëria do të jetë gati në aspektin teknik brenda dy viteve të ardhshme. Për atë që nuk jam i sigurt është qëndrimi politik i Bashkimit Europian”, deklaron Daniel Serwer.

Për Kosovën, ai kërkon zgjidhje të shpejtë të ngërçit politik dhe krijimin e një qeverie funksionale pas zgjedhjeve, ndërsa për Serbinë vlerëson se protestat studentore janë shprehje e pakënaqësisë ndaj modelit qeverisës të Aleksandër Vuçiçit. Megjithatë, Serwer e cilëson presidentin serb si një politikan më të aftë se ish-lideri Slobodan Millosheviç.

Profesori amerikan ndalet edhe te Bosnje-Hercegovina, duke argumentuar se Marrëveshja e Dejtonit ka institucionalizuar ndarjet etnike, ndërsa për Maqedoninë e Veriut thekson nevojën për më shumë integrim mes komuniteteve shqiptare dhe maqedonase.

Një nga qëndrimet më të forta të tij lidhet me Gjykatën Speciale në Hagë dhe procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Serwer e konsideron të padrejtë mbajtjen e të akuzuarve për vite me radhë pa një vendim përfundimtar dhe shprehet se akuzat për trafik organesh, që çuan në krijimin e tribunalit, rezultuan të pavërteta.

Intervista e plotë:

Profesor, shumë faleminderit për kohën. Cili është mendimi juaj për procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian?

DANIEL SERWER: Unë shpresoj shumë ta shoh Shqipërinë teksa bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Do të ishte një arritje e madhe. Por nuk duhet harruar se ka dy aspekte në përgatitjen për anëtarësim në BE. Njëri është aspekti teknik, por ekziston edhe dimensioni politik, dhe aktualisht ai lidhet kryesisht me qëndrimin e vendeve ekzistuese anëtare të BE-së.

Jam pothuajse i sigurt se Shqipëria do të jetë gati në aspektin teknik brenda dy viteve të ardhshme. Për atë që nuk jam i sigurt është qëndrimi politik i Bashkimit Europian.

Ka vende në BE që po përballen me zgjedhje ku partitë e djathta, armiqësore ndaj të huajve, emigrantëve dhe madje edhe ndaj vetë Bashkimit Europian, mund të fitojnë mbështetje të madhe. Për këtë arsye, qeveria juaj përballet me një sfidë të vështirë diplomatike: të bindë vende si Gjermania dhe Franca, por edhe të tjera, se pranimi i Shqipërisë në Union do të ishte në të mirë të vetë BE-së.

Bashkimi Europian vendosi të zgjerohet pas pushtimit rus të Ukrainës, për të treguar se mund t’i përgjigjet në mënyrë efektive zhvillimeve gjeopolitike në rajonin e tij.

Mali i Zi është teknikisht gati gjithashtu, por përballet me të njëjtat pengesa politike brenda BE-së. Islanda, nga ana tjetër, nëse vendos të anëtarësohet, pothuajse nuk ka pengesa teknike, pasi prej kohësh është në përputhje me standardet europiane dhe ndoshta do të përballej edhe me më pak barriera politike.Po të isha në drejtim të Shqipërisë, do të thosha: le të përgatitemi sa më shpejt. Nëse Islanda fillon të ecë përpara, Mali i Zi do të bashkohet me të dhe Shqipëria duhet të jetë gati të ecë në të njëjtin ritëm me Malin e Zi.

Advertisement