Politike
Dhuna ndaj studentëve/ Grupi Parlamentar i PD-së kërkon mbledhjen urgjente të Kuvendit
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Shqipërisë për të diskutuar protestën e studentëve, kërkesën e tyre për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe dhunën e raportuar gjatë përplasjeve me Policinë e Shtetit. Në kërkesën zyrtare drejtuar Kuvendit, deputetët demokratë kërkojnë që seanca plenare të zhvillohet brenda ditës së sotme ose, alternativisht, të mërkurën.
Në dokumentin e tyre, deputetët e PD-së ngrenë shqetësimin për përdorimin e forcës ndaj studentëve, të miturve, grave dhe vajzave gjatë protestave. Sipas tyre, janë raportuar fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në kokë dhe lëndime të shkaktuara nga plumbat e gomës dhe lëndët kimike. Demokratët kërkojnë që këto raste të shqyrtohen dhe të ketë përgjegjësi institucionale për çdo shkelje të konstatuar.
Një tjetër çështje e ngritur në kërkesën e PD-së është anulimi i seancës plenare të parashikuar, për të cilin opozita pretendon se nuk pati njoftim paraprak dhe as një shpjegim të arsyetuar. Për këtë arsye, deputetët kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.
Në kërkesën e mbështetur te neni 31 i Rregullores së Kuvendit, demokratët propozojnë që diskutimi të kufizohet te protesta e studentëve dhe të rinjve, kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe veprimet e Policisë së Shtetit gjatë tubimeve.
NJOFTIM PËR SHTYP
Prej tetë ditësh, studentët dhe të rinjtë shqiptarë vijojnë protestën e tyre kundër arrogancës, keqqeverisjes, korrupsionit qeveritar dhe braktisjes nga ana e Qeverisë, duke artikuluar si kërkesë të vetme largimin e Kryeministrit Edi Rama.
Gjatë këtyre ditëve të protestës, ne, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, kemi konstatuar akte të rënda dhune ndaj studentëve dhe të rinjve. Këto akte, të cilat dëshmojnë një përdorim shqetësues dhe të papranueshëm të forcës nga Policia e Shtetit, nuk kanë kursyer as të miturit, gratë dhe vajzat. Si pasojë, janë raportuar dëmtime të rënda fizike, përfshirë fraktura të gjymtyrëve, dëmtime në kokë, lëndime të tjera trupore, si dhe dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i plumbave të gomës dhe i lëndëve kimike.
Përballë kësaj situate të paprecedentë, është veçanërisht shqetësues që Kuvendi i Shqipërisë jo vetëm nuk ka ndërmarrë hapa për të kërkuar llogaridhënie institucionale lidhur me veprimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve, sipas konstatimeve të bëra gjatë protestave, nuk mbanin mjete identifikimi, por ka anuluar edhe seancën plenare të parashikuar, pa njoftim paraprak dhe pa dhënë një shpjegim të arsyetuar për këtë vendim.
Në këto kushte, duke vlerësuar seriozitetin e situatës dhe nevojën për ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe institucionale të Kuvendit, në mbështetje të nenit 31 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë thirrjen e një seance plenare brenda ditës së sotme ose, në alternativë, ditën e mërkurë, me rend dite të kufizuar në pikën e mëposhtme:
– “Diskutimi mbi protestën e studentëve dhe të rinjve, kërkesën e tyre për largimin e Kryeministrit Edi Rama, si dhe aktet e dhunës së ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj të miturve, studentëve dhe të rinjve”.
Vlerësojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin institucional të garantojë transparencën, llogaridhënien dhe shqyrtimin parlamentar të kësaj situate, duke bërë të mundur diskutimin e saj në një seancë plenare dhe duke kërkuar përgjegjësi për çdo shkelje të ligjit të konstatuar.
Duke ju kërkuar të merrni masat e nevojshme për shqyrtimin e kësaj kërkese me urgjencë, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, presim marrjen e masave për thirrjen e seancës plenare të kërkuar.
Zanafilla e protestës studentore, e cila është shoqëruar me revolta të ashpra nuk ishte një shpërthim i rastësishëm. Ajo erdhi si rezultat i një pakënaqësie të akumuluar prej kohësh nga të rinjtë, që kanë protestuar prej kohësh, por zëri tyre me protesta paqësore nuk u dëgjua. Diskutimet për tarifat e studimit, cilësinë e mësimdhënies dhe kushtet nëpër konvikte kanë qenë prej kohësh në qendër të ankesave, por siç duket qeveria nuk mendonte se kjo do shpërthente në një lëvizje masive dhe këmbëngulëse. Dita e parë e protestës nisi me modesti, në dukje si një grumbullim i zakonshëm.
Një grup i vogël studentësh, të lodhur nga premtimet e pambajtura dhe nga “mbyllja e veshëve” nga institucionet, u mblodhën te Ministria e Arsimit. Me thirrje dhe pankarta të improvizuara, ata shprehën indinjatën e tyre. Por ajo që filloi si një zë i vetmuar, shumë shpejt gjeti jehonë. Lajmi u përhap shpejt në rrjetet sociale, duke frymëzuar qindra të tjerë të bashkoheshin. Brenda disa orësh, numri i protestuesve u rrit ndjeshëm, duke bllokuar qarkullimin në rrugën kryesore dhe duke “shpërthyer” në protesta me revolta të mëdha. Të revoltuar, studentët nisën t’i vinin flakën institucioneve shtetërore dhe bankave. Ndërkohë, që tubimet vijojnë ato nuk e kanë ndaluar në asnjë moment thirrjen “Rama jepe dorëheqjen”.