Connect with us

Politike

Edhe sikur sot të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, sërish opozita do humbasë

Gazetari dhe botuesi Nikoll Lesi e sheh me shqetësim situatën politike në vend, teksa shprehet se problemi më i madh i demokracisë është opozita dhe se lideri i PD nuk ngjall besim dhe njerëzit nuk e ndjekin.

“Me gjithë këto zhvillime që kanë ndodhur në qeveri, me SPAK dhe PS, mendova se do ishte një protestë madhështore. As 100 veta nuk ishin. Këto janë pamje që të krijojnë një ndjenjë që kjo opozitë ka mbaruar.

Me këto ngjarje që ndodhën në mazhorancë duhet të kishte protesta me të paktën 100 mijë veta. E kam bindje se problemi më i madh për demokracinë, është opozita. Çfarë frymë, çfarë besimi krijon në popull ky lider (Berisha)? Me këtë lider opozita nuk vjen kurrë në pushtet. Ndaj rri Rama në pushtet. Se me këto që kanë ndodhur, ministër të arrestuar, zv. kryeministër në arrati, zv. Kryeministre në hetim… nuk ka opozitë, nuk ka alternativë, dhe kjo më shqetëson mua si gazetar.

Doktori e ka bërë historinë e vet, mirë apo keq historia e tij ka mbaruar. Për të rrëzuar këtë qeveri, nuk ka një alternativë tjetër”, u shpreh ai.

Ai shton se me gjithë zhvillimet e ndodhur në skenën politike të PS, do duhej që opozita të kishte forcë dhe të shkohej në zgjedhje të parakohshme.

“Edhe sikur Rama të dalë dhe të thotë që shkojmë në zgjedhje të parakohshme, gjë që nuk ndodh, sërish opozita do të humbë”, tha ai.

Sa i përket zgjedhjeve të parakohshme në Tiranë, të cilat u anuluan pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu Erion Veliajn në detyrë dhe anuloi dekretin e Presidentit, ai tha se edhe nëse do të realizoheshin, PS do ta kishte fituar sërish kryeqytetin.

Advertisement