Kronike
Ekskursioni që nisi xhelozinë mes çiftit/ Si e çoi Eraldo Fizi ish-partneren drejt vdekjes
Eraldo Fizi, ish-partneri që dyshohet se ushtroi dhunë ndaj Xhuana Nikollaj duke e shtyrë atë drejt vdekjes, është vetëdorëzuar tre ditë më parë në Polici, më shumë se gjashtë muaj që nga koha kur ndodhi ngjarja dhe shpallja në kërkim.
Xhuana, më 10 mars 2026 konsumoi fostoksinë dhe ndërroi jetë në QSUT, ndërsa Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë “arrest në burg”, si person i dyshuar për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Sipas dëshmive të reja të administruara në dosje, konflikti mes Xhuanës dhe Eraldos nisi pas një ekskursioni të organizuar nga shkolla ku ajo punonte, më 7 dhe 8 mars, në Berat.
Shoqja e saj e dhomës, Aurela Hasanaj, ka deklaruar se gjatë ekskursionit Xhuana dyshonte se Eraldo e kishte ndjekur nga pas. Në hotel, sipas Aurelës, Xhuana i kishte treguar se partneri po i shkruante dhe e kishte pyetur nëse po e provokonte apo e kishte ndjekur vërtet.
Më 9 mars, Eraldo e kontaktoi Aurelën dhe i kërkoi të takohej me të dhe Xhuanën për të sqaruar situatën lidhur me ekskursionin. Takimi u zhvillua rreth orës 20:30 pranë banesës ku jetonin me qira Xhuana dhe Aurela. Pas bisedës, Aurela u largua dhe Xhuana qëndroi me Eraldon.
Rreth orës 03:10 të 10 marsit, Eraldo telefonoi Aurelën dhe i kërkoi të hapte derën e godinës, pasi Xhuana nuk kishte çelës. Sipas dëshmisë së saj, ai i tha: “Kujdesu për të”.
Kur Xhuana hyri në banesë, Aurela deklaron se i vuri re shenja në fytyrë, rreth syve dhe në duar. Xhuana nuk i tregoi çfarë kishte ndodhur dhe i kërkoi të mos shqetësonte askënd, thuhet në dosjen e siguruar nga Boldnews.al.
Në orët e para të mëngjesit, Xhuana kontaktoi motrën e saj, Klodina Nikollaj. Sipas dëshmisë së kësaj të fundit, rreth orës 03:30 ajo i shkroi në WhatsApp dhe i tregoi se ishte marrë nga Eraldo Fizi me makinë dhe ishte çuar në Rana e Hedhun, në Shëngjin, ku ishte dhunuar.
Në mesazhet drejtuar motrës, Xhuana shkruante se nuk kishte bërë asgjë të gabuar dhe se ishte goditur “me grushta e shpulla”. Ajo i shkruante gjithashtu: “Kam duru boll, smunem ma”. Më pas i dërgoi Klodinës një fotografi ku, sipas dëshmisë, dukeshin shenja dhune në fytyrën e saj.
Pak më vonë, Xhuana i kërkoi motrës që të kujdesej për babanë, ndërsa Klodina deklaron se e kishte këshilluar të denonconte ngjarjen në polici. Sipas saj, Xhuana kishte frikë për të atin dhe shqetësohej se Eraldo mund t’i bënte diçka.
Në orët e mëngjesit, të 10 marsit situata u përkeqësua. Sipas dëshmisë së familjarëve, Xhuana nuk iu përgjigjej më telefonatave. Rreth orës 09:07 ajo njoftoi se kishte konsumuar fostoksinë. Policia u njoftua dhe ajo u dërgua në QSUT, por pavarësisht ndihmës mjekësore, ndërroi jetë.
Në dosje është administruar edhe dëshmia e motrës tjetër, Silvana Kaleshi. Ajo ka deklaruar se Xhuana dhe Eraldo ishin ndarë në vitin 2025 dhe se pas ndarjes Xhuana ishte zhvendosur në Tiranë, ku kishte nisur një jetë dhe punë të re. Sipas Silvanës, gjatë kësaj periudhe Eraldo e kontaktonte vazhdimisht dhe i dërgonte mesazhe e video, duke i thënë se do të vetëflijohej nëse ajo nuk kthehej me të.
Dëshmitë e familjarëve dhe shoqes janë pjesë e provave të administruara nga prokuroria, së bashku me pamjet filmike, komunikimet telefonike dhe materiale të tjera të sekuestruara gjatë hetimit. Sipas dosjes, pamjet e kamerave të sigurisë përputhen me oraret e dhëna nga Aurela Hasanaj për lëvizjet e natës së 9 marsit.
Gjykata ka vlerësuar se provat e administruara në këtë fazë krijojnë dyshim të arsyeshëm për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe ka lënë Eraldo Fizin në masën e sigurisë “arrest në burg”. Hetimi vijon për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes.