✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

EMRI/ Biznesmeni shqiptar gjendet i vdekur në Itali

Një 51-vjeçar me origjinë shqiptare, Altin Kokiçi, është gjetur i pajetë në një kantier ndërtimi në Padova të Italisë, në orët e natës mes të mërkurës dhe të enjtes.

Sipas mediave italiane, Kokiçi, pronar i një kompanie ndërtimi me aktivitet në Sossano, në provincën e Vicencës, dyshohet se ka rënë në gropën e ashensorit të një godine në ndërtim.

Familjarët kishin dhënë alarmin pasi 51-vjeçari nuk kishte komunikuar me ta që prej orëve të para të pasdites. Furgoni i tij ishte gjetur i parkuar pranë kantierit, me bagazhin ende të hapur, duke shtuar shqetësimet për fatin e tij.

Ekipet e Policisë së Padovës ndërhynë në kantier dhe, përmes sinjalit të telefonit celular të 51-vjeçarit, përcaktuan se ai ndodhej ende në zonën e ndërtesës. Efektivët i telefonuan në celular dhe, duke ndjekur sinjalin, mbërritën pranë boshtit të ashensorit, ku gjetën trupin e tij.

Në vendngjarje mbërritën edhe shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një aksident në punë.

Dyshimet paraprake janë se Kokiçi mund të ketë qenë në kantier për arsye pune, por rrethanat që çuan në rënien e tij në gropën e ashensorit mbeten ende të paqarta dhe pritet të sqarohen nga hetimet.

Advertisement