Connect with us

Aktualitet

Gazment Bardhi: Mundësi për rikthimin e konsensusit politik më vend të minimit të klimës parazgjedhore dhe deformimit të rezultatit zgjedhor në tavolinë.

JA DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE, GAZMENT BARDHI

Opozita e Bashkuar përshëndet aktin e Presidentit për kthimin për rishqyrtim Kuvendit të Shqipërisë për Kodin Zgjedhor dhe kërkimin e marrjes së Opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias.

E vlerësojmë si hap dhe mundësi e rëndësishme, në drejtim të rikthimit të paqes publike dhe klimës zgjedhore në vend. Miratimi i Kodit Zgjedhor, si produkt i marrëveshjes së 14 janarit dhe konkluduar me marrëveshjen e 5 qershorit, ishte një arritje madhore e klasës politike në vend, mbështetur fuqimisht nga faktori ndërkombëtar.

Në vetvete ajo marrëveshje dhe miratimi i Kodit Zgjedhor në 30 korrik, shtroi baza të mira për krijimin e kushteve të pranueshme ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Paqja publike dhe pranueshmëria e klimës parazgjedhore janë premisë themelore për një proces zgjedhor të gjithë pranuar.

Ndërhyrja e njëanshme dhe brutale në Kushtetutë, e pasuar nga deformime të rënda ligjore që mbartin ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, bien ndesh hapur me marrëveshjen e 5 qershorit dhe tekstin e sapo miratuar të Kodit Zgjedhor.

Një akt i tillë, i ndërmarrë nga ana e mazhorancës së kapluar nga paniku i humbjes zgjedhore, përveçse minon klimën parazgjedhore, synon qartazi deformimin e rezultatit zgjedhor në tavolinë.

Ky akt, i realizuar jashtë Tryezës së Këshillit Politik, mbetet një shkelje e flagrante e marrëveshjes së 5 qershorit. Akte te tilla, të marra në verbëri politike, komprometojnë rëndë interesin publik dhe, mbi të gjitha, rrugën integruese të Shqipërisë.

Hapësira që Presidenti i Republikës ka dhënë, nëpërmjet rikthimit për shqyrtim në Kuvend, e shoqëruar me kërkesën për marrjen e opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias, është jo vetëm një akt i pjekur në vazhdën e traditës politike dhe parlamentare 30 vjeçare, por edhe një mundësi e mirë për të rikthyer gjithë përfshirjen dhe konsensusin politik, si dhe gjetjen e zgjidhjeve teknike për eliminimin e deformimeve të rënda kushtetuese që mbartin ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor.

Zgjedhjet e lira, të ndershme e të qeta, janë shërbimi më i mirë që qeveria e ka për detyrim t’ia ofrojë shoqërisë shqiptare edhe si zgjidhje për situatën e rëndë politike, ekonomike dhe sociale që vendi po kalon.
Dhe, mbi të gjitha, si rruga e vetme drejt së ardhmes europiane të vendit.

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Aktualitet

“Rrjeta e çarë e Amnistisë”/ Dështon qeveria, 80 persona të hetuar nga SPAK përfitojnë prej saj

Aministia që nisi të ekzekutohet sot ka prodhuar pasojat e para negative. Procesi që është administruar nga Ministria e Drejtësisë duke shmangur prokurorinë ka lejuar të lënë burgun, persona që kanë ende llogari të pambullura me drejtëinë. 80 përsona të hetuar nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kanë përfituar prej saj, duke rrezuar propagandën e qeverisë së kjo kategori është e përjashtuar nga aministia.

INA Media

Fran Frrokaj, ish Kryetar i Bashkisë së Lezhës, i dënuar për tjetërsimin e tokave tek “Rana e Hedhun” është mes gati 730 të dënuarve që lanë qelinë mëngjesin e kësaj të mërkure, sepse përfituan nga amnistia. Kryebashkiaku ishte dënuar për shpërdorim detyre me 3 vjet burgim nga Gjykata e Apelit e Shkodrës. Nga formula e komplikuar e ligjit për Amnistinë, atij iu zbrit edhe 1 vit e dy muaj burgim që i kishte mbetur, duke i mundësuar atij lirinë.

Por, nga investigimi i INA Media rezulton se ndaj Fran Rrokajt, veç këtij dënimi, është aktiv edhe verdikti tjetër i dhënë nga gjykata e posaccme në Tiranë, për skandalin e tokave të hetuar nga SPAK. Vendimi i Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) mban datën 1 mars 2024 dhe dënimi ka qenë 1 vit e 4 muaj burgim, duke llogaritur edhe aplikimin e gjykimit të shkurtuar.

 

 

Për vendimin e dytë, sipas ligjit të amnistisë (numër 33/ 2024) që hyri në fuqi këtë të mërkurë, Frrokaj nuk duhet të përftonte. Neni 75/a mbi kompetencat e Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rendit kategoritë e funksionarëve që gjykohen nga gjykata e posacme dhe aty përmenden Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, anëtarët e Këshillit të Ministrave, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, të ILD, Kryetarët e Bashkive, Deputetët etj, të cilët në këtë amnisti nuk duhet të përfitojnë.

Së bashku me Frrokaj, u liruan si të denuar nga e njëjta dosje edhe ish kryetari i Qarkut Gjok Ndoka dhe Lekë Rroku, por këta të fundjt nuk jane subjekte që përjashtohen nga amnistia. Ish kryebashkiaku duket se përfitoi në shkelje të ligjit dhe për shkak të mosbashkimit të dënimeve.

Juristi Elis Bilali parashikon se bashkimi i dënimeve është vetëm një nga nga ngërcet e shumta që ka zbatimi i amnistisë, përderisa neni 5 thekson se të gjithë të dënuarve që nuk plotësojnë kriteret u zbritet dy vjet nga dënimi i mbetur për personat e dënuar gra dhe të mitur dhe një vit e gjysëm nga dënimi i mbetur për personat e dënuar burra.

“Problematika ka. Një nga rastet më të zakonshme është rasti i bashkimit të dënimeve. Një dënimi të dhënë për një vepër të cilën ligji për amnistinë e parashikon ulje dënimi dhe një vepre për të ciliën ligjin nuk parashikon ulje. A do parashikohet ulje?” – ngre dilemën avokati, i cili shton për INA Media se në vlerësimin e tij, i paqartë ngelet edhe rasti i vendimeve në të cilat gjykatat kanë aplikuar nenin 59, pezullimin e ekzekutimit të dënimit.

“I dënuari nuk është paraqitur të përmbushë detyrimet e shërbimit të provës dhe rrjedhimisht është kërkuar në gjykatë revokimi i vendimit të dhënë. A do të aplikohet për këto raste amnistia apo do të konsiderohen persona që i janë shmangur Ligjit” – vijon Bilali.

Sipas Ligjit për Amistinë përjashtohen nga vuajtja e dënimit jo vetëm burrat dhe gratë që janë dënuar përkatësisht për krime me dënime deri në katër dhe pesë vjet burgim respektivisht (sipas kritereve të renditura në ligj), por edhe të burgosurit burra që iu kanë mbetur katër vite burg dhe pesë vjet për  gratë. Mbi këtë llogari, sot u liruan 730 të burgosur. Fasha e dytë e aplikimit të amnistisë është ajo e zbritjes së dënimit, ku përfshihen persona të cilët nuk plotësojnë tërësisht kriteret e përcaktuara në ligj për lirim të plotë, nga e cila përfitojnë zbritje në dënim me dy vjet për gratë dhe një vit e gjysëm për burrat.  Në këtë pikë llogaritet të fitojnë ulje të dënimit 1600 persona. Parashikimi i tretë i vazhdimësisë së amnistisë përfshin ata të dënuar nga gjyjatat me dënim alternativ si dhe me mbylljen e procedimeve penale në prokurori. Hetimet e pashqyrtuara apo nën proces shqyrtimi që do “të falen”, pavarësisht nga data e rregjistrimit të tyre, kanë si prag veprat e kryera deri në 31 mars 2024, si dhe ata qe janë kallzuar, hetuar apo janë nën gjykim për manifestimet e kryera deri më të njëjtën datë.

Asnjë listë

Drejtoria e Burgjeve nuk iu përgjigj INA Media-s për listën e të dënuarëve që u liruan më datë 24.04.2024, sipas ligjit për aministinë, emrat e personave që iu kishte mbetur pa kryer nga dënimi deri në 4 vjet për burrat dhe 5 për grate, ose që janë dënuar me dënim deri në 4 vjet, apo me cdo lloj dënimi më të butë, përfshirë gjobën dhe dënimet alternative.

Nuk ka të dhëna as për emrat e të burgosurve që do iu ulet dënimi – për burrat 1 vit e gjysëm dhe për gratë dy vjet nga dënimi i mbetur. Këta të fundit llogaritet te jenë rreth 1300 persona.

Edhe Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm nuk kanë evidentuar cilët janë shtetasit që përjashtohen nga hetimet për veprat penale të kryera deri në datën 31 mars 2024, për krime që Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak parashikon dënime deri në dy vjet burg.

Avokati Alban Qafa këmbëngul se qëllimisht është lënë jashtë angazhimit prokuroria, duke ngarkuar ngritjen e komisioneve pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Veprave Penale që kanë kryer vlerësimin e dosjeve penale të të burgosurve në rang vendi.

“Listat janë përpiluar nga Ministria e Drejtësisë, ndonëse janë ngritur komisionet pranë Drejtorive të Burgjeve dhe kjo me synim që të lihet hapësirë për abuzime dhe pëfitime. Shumë ndryshe nga amnistia e 100 vjetorit të pavarësisë, për listën e përfituesve të së cilës u angazhuan prokurorët e ekzekutimeve penale, tani kjo listë përpilohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me udhëzime, ndërkohë që edhe ligji për amnistinë nuk shprehet se duhet ta bëjnë Prokurorët” – thotë për INA Media avokati.

Në prokuroritë kryesore të kontaktuara zyrtarisht nga redaksia e INA Media deri të martën (një ditë para nisjes së amnistisë), u pranua se nuk ishte dorëzuar asnjë listë me emrat e të burgsurve që u liruan të mërkurën.

SPAK konfirmon zyrtarisht se nuk ka asnjë proçedim që mbyllet për shkak të amnistisë. Ndërkohë që në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm pritet të pushohen hetimet për çështje si shkatërrimi i pronës me zjarr, të arrestuarit për lloto dhe baste online, apo hetimet për kundravajtje apo aksidentet automobilistike. Të pyetur nga INA Media, disa prokurorë komentojnë se do veprojnë rast pas rasti mbasi të rilexojnë fashikujt apo të rishikojnë dosjet që gjenden nën proces shqyrtimi nga gjykatat.

Një ndër ata shtetas që do të përjashtohet nga poçedimi penal është edhe djali i ish deputetit Tom Doshi, i cili sipas policisë është autor i një aksidenti automobilistik të ndodhur në datën 17 mars 2024, në aksin Milot Lezhë ku u rrezikua jeta e dy personave.

James Doshi, pas favorizimit nga Policia Rrugore e Lezhës, menjëherë psd aksidentit, “i ndrin sërish fati” nga ligji i amnistisë e për rrjedhojë nuk do ketë asnjë shqetësim nga procedurat hetimore. Ligji i amnistisë penale përjashton nga ndjekja penale personat që kanë kryer vepra penale deri në datën 31 mars, me marzh dënimi maksimumi dy vjet burg apo gjobë. Në këtë mënyrë Doshi nuk do të rrezikojë të shkojë fare në prokurori apo më pas gjykatë. Të njëjtin fat të mbarë patën rreth një vit më parë dy djemtë e ish deputetit Doshi. Pavarësisht se ata u përfshinë në një konflikt fizik, një prokuror i kryeqytetit pushoi çështjen ndaj tyre.

Nga amnistia fituan dhe të dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, shkrirë mbas reformës në drejtësi dhe zevendësuar nga GJKKO. Bie në sy lirimi i Emiljano Tarjas, hetuar nga ish Prokuroria për Krimet e Rënda dhe dënuar me 15 vite burgjm për trafikim të të miturve. Dosja penale kundër tij tregon se si trafikanti shfrytëzoi një të mitur në Zvicër, përmes dhunës dhe kërcënimeve.

Një tjetër i liruar është Klodian Selimi, i denuar si anëtar i grupit të Lazaratit përgjatë sulmit me armë ndaj Policisë së Shtetit.

Nga bonusi i amnistisë ekziston mundësia të fitojë edhe djali i Nurihan Seitit, anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Rei Meta u dënua me tre vjet burg për vrasje nga pakujdesia të Armando Meshaut. Vepra për të cilën Meta u dënua nuk është përfshirë tek krimet kundër jetës, që sipas nenit 4, të ligjit të amnistisë janë kritere ndaluese për të përftuar. Aq më teper që përkufizimi tjetër (neni 2) konsideron të dënuar personin nga gjykata e shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm dhe gjykata e shkallës së parë kundër korrupsionit dhe krimit të oprganizuar, vendime ndaj të cilave nuk është bërë ankim në gjykatat përkatëse të apelit brenda afatit ligjor, duke marrë formë të prerë brenda datës 31 mars 2024.

Avokati Bilali parashikon se ajo që do të ndodhë mbas të mërkurës kur lirohen të burgosurit e listuar nga komisionet e çdo burgu, dhjetra të tjerë do ti drejtohen gjykatave për përfitim amnistie, pikërisht duke luajtur kartën e mos apelimit, apo të zbritjeve të dënimit të pa monitoruar.

“Do ketë shumë të pandehur që do ti drejtohen gjykatës, për vlerësimin e rasteve për çështjet që janë në gjykim në apel duke vepruar me heqje dorë nga ankimi për shkakun që të konsiderohet i dënuar për efekt të ligjit” – thekson ai.

Me SPAK-un përballë

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjatë një prej daljeve publike garantoi se nga amnistia përfitojnë vetëm tre ish efektivë policie të dosjes së Morinës. Realiteti është krejt ndryshe. Plot 80 persona të shpallur fajtorë prej gjykatës së posacme dhe të hetuar nga SPAK përfitojnë nga aministia. Kjo e dhënë u vendos në dispozicion zyrtarisht prej SPAK që jep shpjegimet përkatëse për secilin vit duke nisur nga 2021.

SPAK deklaron për INA Media se ka kontribuar me komente dhe mendime sa herë i është kërkuar mendim për ligje, të cilët lidhen me veprimtarinë e institucionit dhe vlerëson se politikat penale duhet të kryhen në përmbushje të objektivave të ndryshme kushtetuese të vitit 2016, dhe frymën e reformës në drejtësi.

“Nga analiza e Prokurorisë së Posaҫme, për ndikimin e ligjit të sapo miratuar nr. 33/2024, “Për Dhënie Amnistine”, ka një numër të dënuarish për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1, i Kodit Penal, që përjashtohen nga vuajtja e dënimit. Për disa persona pavarësisht përfitimit të këtij ligji, e kanë vuajtur pjesën e dënimit të tyre. Nga ana tjetër nuk ka subjekte apo procedime që përfitojnë amnisti nga ndjekja penale. Mbështetur në të dhënat e Sektorit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Prokurorinë e Posaçme, ju informojmë se nga ky ligj përfitojnë një numër personash të dënuar, si më poshtë vijon: Për vitin 2021 janë 16 persona; Për vitin 2022 janë 24 persona; Për vitin 2023 janë 18 persona; Për vitin 2024 janë 22 persona” – sqaron SPAK për INA Media.

Tabela e mësipërme “rrezon” deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së drejtësisë, që për mediat tha se asnjë subjekt i SPAK dhe me dënim të formës së prerë nuk përfiton nga amnistia. Nga studimi i dispozitivëve të bërë publikë nga Gjykata e Posacme e Apelit, INA media konstatoi emra të tjerë përftues të amnistisë që janë shallur fajtorë nga gjykata antikorrupsion, si Ish-Drejtori i Burgjeve Judmir Shurdhi, Ish-Anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Ardian Hajdari, dhe Ish-Oficeri i Policisë së Elbasanit Leonard Palushi, dënuar për korrupsion, emri i të cilit u përmend nga bashkëpuntori i drejtësisë Nuredin Dumani.

Emra të tjerë të gjetur fajtorë janë ai i Ibrahim El Salih, dënuar me 2.8 vite burg për propogandë për qëllime terroriste për ISIS. Ndërkohë që zyrtarë të burgut të Peqinit nuk konfirmuan nëse në këtë listë gjendeshin edhe ekstremistë të tjerë të dënuar si pjesë e dosjes së imameve që rekrutuar shtetas shqiptarë duke financuar dërgimin e tyre për të luftuar në Siri.

Një tjetër emër i konfirmuar për INA Media, i cili përfiton nga amnistia është Abedin Rexha, dënuar për vrasjen e Ish-Kryetarit të Partisë Demokratike në Has, Behar Kastrati, një mjek i njohur në zone.

Po Shërbimi i Provës?

Më shumë se 2200 të dënuar në shërbim prove, përfitojnë nga kjo amnisti. Shifra konfirmohet nga zyra juridike pranë Drejtorisë së Shërbimit të Provës. Edhe në këtë institucion lista mbahet sekrete. Sakaq, INA Media mëson se edhe këtu ka ish nëpunës, ish anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Tenderave si ai i Uniformave të Policisë së Shtetit, dhe i dosjes së Bashkisë Lushnjë që morën dënim alternative. Ish zyrtarët në shërbim prove janë hetuar nga SPAK dhe vendimi i fajësisë është shoqëruar me detyrimin për tu paraqitur në frekuenca kohore të ndryshme përpara një specialist të këtij shërbimi.

Nën shërbim prove janë disa ish gjytarë si ish Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja i shpallur fajtor për fshehje pasurie. Por ish funksionari i drejtësisë nuk përfiton nga amnistia. Në listën e funksionarëve përfitues nga amnistia është ish gjyqtarja e apelit Mimoza Margjeka, e dënuar për lirimin e një trafikanti klandestinësh kundrejt gati 6 mijë eurove si rryshfet.

Ish gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshka, e cila po vuan dënimin alternativ të shërbimit të proves, gjendet po ashtu në listën e përftuesve të amnistisë. Ish funksionarja e drejtësisë u hetua nga SPAK dhe u gjet fajtore për akuzën e korrupsionit pasiv, pasi në përgjime shfaqet duke komunikuar me një avokat për uljen e dënimit të klientit të tij kundrejt shpërblimeve financiare. Nga e mërkura e datës 24 prillit 2024, së bashku me të dënuarit e tjerë të kësaj dosje, ata shijojë lirinë.

Gjatë verës parashikohet të ketë një valë të dytë lirimesh nga qelitë, pasi shumë të burgosur të tjerë do të përdorin ligjin për të përfituar me rrugë gjyqësore zbritje nga dënimi. Aq më tepër që ligji lë hapsirë evazive për kategorinë e personave që konsiderohen të dënuar, për të cilët Gjykata e Lartë, deri në 31 mars 2024, ka vendosur prishjen e vendimeve të mëparshme të Gjykatave të Apelit dhe lënien në fuqi të Shkallës së Parë, apo ndryshimet e vendimeve të të dyja shkallëve.

Që interpretimi i ligjit për aministinë do të “prodhojë” një fluks padish për të fituar amnisti në gjykata, e “premton” edhe avokati Dritan Trifka, i cili përmend për INA Media se do ti drejtohet gjykatës për paqartësitë.

“Ky ligj ka edhe kritere ndaluese edhe kritere lejuese, dhe për klientët tanë do kërkojmë përfitim amnistie, jo duke pritur listën, por në gjykatë. Kjo do jetë një goditje për amnistinë dhe avokati këtë punë ka, të lirojë klientin!” – nënvizon avokati.

Continue Reading

Aktualitet

10 komplimente që vajzave u duken romantike nga partneri

  1. Komplimentoni zgjuarsinë e tyre

Gratë vlerësojnë kur burrat komplimentojnë inteligjencën dhe zgjuarsinë e tyre. Pranimi i mendimeve dhe opinioneve të tyre tregon respekt dhe mund të jetë shumë tërheqëse. Njohja e intelektit të një gruaje dhe përfshirja në biseda kuptimplote mund ta thellojë lidhjen dhe të krijojë një ndjenjë shoqërie, shkruan scientificorigin.com.

  1. Komplimentoni buzëqeshjen e tyre

Një kompliment i vërtetë për buzëqeshjen e një femre mund t’i ndriçojë ditën dhe ta bëjë atë të ndihet e veçantë. Buzëqeshjet shihen shpesh si dritare drejt shpirtit, dhe vlerësimi i buzëqeshjes së saj rrezatuese mund të tregojë se e vëreni dhe e vlerësoni lumturinë e saj.

  1. Komplimentoni stilin e tyre

Të vlerësosh nstilin unik të një gruaje mund ta bëjë atë të ndihet tërheqëse dhe e sigurt. Komplimentimi i zgjedhjes së veshjes apo modelit të flokëve të saj tregon se i kushtoni vëmendje detajeve. Kuptimi dhe njohja e stilit të saj personal mund të tregojë vëmendjen dhe admirimin tuaj për individualitetin e saj.

  1. Komplimentoni ambicien e tyre

Njohja e dëshirës dhe ambicieve të një gruaje mund të jetë tepër romantike. Mbështetja e aspiratave të saj dhe festimi i arritjeve të saj mund të krijojë një ndjenjë partneriteti dhe inkurajimi në marrëdhënie.

  1. Komplimentoni pasionin e tyre

Tregimi i interesit për interesat e saj mund të tregojë se ju intereson ajo që ka rëndësi për të. Njohja e pasioneve të saj mund të tregojë respektin tuaj për individualitetin e saj dhe përkushtimin për ta kuptuar atë në një nivel më të thellë.

  1. Komplimentoni mirësinë e tyre

Lavdërimi i mirësisë dhe dhembshurisë së një gruaje mund të tregojë se e vlerësoni zemrën dhe karakterin e saj. Njohja e akteve të saj të mirësisë ndaj të tjerëve mund të jetë një gjest prekës. Duke vlerësuar natyrën e saj empatike dhe ndikimin pozitiv që ajo ka tek ata që e rrethojnë, mund të ilustrojë admirimin tuaj për cilësitë e saj të brendshme.

  1. Komplimentoni sensin e tyre të humorit

Një sens i mirë humori është shpesh një tipar tërheqës dhe plotësimi i aftësisë së një gruaje për t’ju bërë të qeshni mund të jetë shumë romantike. Të qeshësh së bashku dhe të vlerësosh shakatë e saj mund të krijojë një lidhje të fortë. Ndarja e momenteve të gëzimit dhe të qetësisë mund të forcojë lidhjen emocionale dhe të nxisë një ndjenjë mirëkuptimi dhe kënaqësie të ndërsjellë.

  1. Komplimentoni pamjen fizike të tyre

Ndërsa bukuria fizike është vetëm një aspekt i një personi, komplimentimi i pamjes së një gruaje mund të jetë ende romantik. Shprehja e admirimit tuaj për tiparet e saj ose pamjen e përgjithshme mund të rrisë besimin e saj. Njohja e bukurisë së saj mund të jetë një mënyrë për ta bërë atë të ndihet e vlerësuar dhe e vlerësuar për atributet e saj të jashtme.

  1. Komplimentoni kreativitetin e tyre

Njohja e krijimtarisë dhe talentit të një gruaje mund të jetë një gjest i mrekullueshëm. Lavdërimi i aftësive të saj artistike ose ideve novatore mund ta bëjë atë të ndihet e vlerësuar dhe e kuptuar. Njohja e aftësive të saj krijuese mund të tregojë vlerësimin tuaj për perspektivat dhe talentet e saj unike.

  1. Komplimento gatimin e tyre

Nëse një grua ka përgatitur një vakt për ju, komplimentimi i aftësive të saj në gatim mund të jetë një gjest i ëmbël dhe romantik. Shfaqja e vlerësimit për përpjekjet e saj në kuzhinë mund ta bëjë atë të ndihet e dashur. Njohja e talentit të saj në kuzhinë mund të tregojë se e vlerësoni përpjekjen që ajo bën për t’ju ushqyer dhe kujdesur për ju.

Continue Reading

Aktualitet

Falsifikim të dokumentave/ Kalaja kallëzon në SPAK Lulzim Bashën dhe bashkëshorten e tij

Avokatja Adriana Kalaja ka bërë me dije se sot ka kallëzuar në SPAK Lulzim Bashën, Aurela Basha dhe Erion Isufin. Kalaja i ka kallëzuar penalisht këta persona për akuzat e Falsifikimit të Dokumentave, Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie edhe disa akuza të tjera.

Njoftimi i Plotë:

Duke uruar te jeni shume mire, do doja t’ju beja me dije se neser me date  24 prill ora 11.00, me cilesine e Kryetares se Gjykates se PD dhe Avokates, kallezoj ne SPAK: Dhe çdo person te paidentifikuar nga une por qe do te rezultoje pas hetimit te SPAK dhe qe ka lidhje me konsumimin e veprave penale te konsumuar nga te kallezuarit prej meje:

1. Pastrim te produktit te veprave penale.

2. Shtrengim me ane te kanosjes per dhenie pasurie.

4. Ushtrim i ndikimit te ndikimit te paligjshem etj.

Do ta vleresoja shume ndjekjen dhe berjen lajm nga ana e televizionit Tuaj.

Me shume mirenjohje dhe vleresim nga Avokate Adriana  Kalaja.

Continue Reading

Aktualitet

Nga sulmet kundër medias te pakti me Melonin/ Shqetësimet kryesore të Amnesty International për Shqipërinë

Amnesty International theksoi si shqetësime në lidhje me gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri sulmet fizike dhe verbale kundër gazetarëve, vrasjen e grave në dhunën me bazë gjinore brenda familjes dhe ndërtimin e kampeve për burgosjen e refugjatëve azilkërkues që Italia po ndërton aktualisht në portin e Shëngjinit dhe në ish-aeroportin ushtarak të Gjadrit.

Amnesty, një nga organizatat më të mëdha të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në botë, publikoi të mërkurën raportin e saj mbi gjendjen në 155 vende të vrojtuara, përfshirë Shqipërinë. Raporti vëren se autoritarizmi është një forcë në rritje në rang global dhe se numri i njerëzve që jetojnë në shtete demokratike, pra shtete të së drejtës apo shtete të sundimit të ligjit, ra gjatë vitit të kaluar në nivele që nuk ishin parë që nga viti 1985.

“Praktikat dhe idetë autoritariste prekën apo u përdorën nga shumë qeveri dhe shoqëri. Në veri dhe në jug, në lindje dhe në perëndim, politikat autoritariste gërryen lirinë e shprehjes dhe të organizimit shoqëror, goditën barazinë gjinore dhe luftuan të drejtat seksuale apo riprodhuese,” vëren raporti.

Raporti shënjon mënjanë si shqetësim madhor zhvillimet në Lindjen e Mesme, kur krimet rrëqethëse të Hamas të kryera në 7 tetor 2023, në të cilën u vranë mbi njëmijë njerëz, shumica civilë izraelitë dhe mijëra të tjerë u plagosën e 245 vetë u morën peng, Izraeli nisi një fushatë hakmarrëse e cila, sipas Amnesty, u bë një fushatë ndëshkimi kolektiv. “Kjo është një fushatë e bombardimit të qëllimtë dhe jodiskriminues të civilëve dhe të infrastrukturës civile, të mohimit të asistencës humanitare dhe të krijimit të qëllimtë të gjendjes së urisë,” vëren raporti.

 

 

“Narrativat publike të bazuara në urrejtje dhe me rrënjë te frika, ngushtoi hapësirën civile dhe demonizoi grupet e margjinalizuara apo individët, me refugjatët, migrantët dhe grupet racore që po vuajnë. Sulmi kundër të drejtave të grave dhe barazisë gjinore u intensifikua më 2023, duke kërcënuar shumë nga arritjet e realizuara përgjatë njëzet viteve të fundit,” vëren më tej raporti.

Sa i përket Shqipërisë, raporti vëren se “gazetarët u shënjestruan nga gjuha e urrejtjes, sulmet fizike dhe një sulm me armë. Dhuna kundër grave brenda familjes vijoi, me 12 gra të vrara nga partnerët apo anëtarët e familjes.”

Raporti vëren se në drejtim të të drejtave të njerëzve LGBTI Shqipëria nuk ka shënuar progres.

Raporti thekson se vrasja e një rojeje sigurie në një sulm kundër Top Channel në mars 2023 ka mbetur me autorë të paidentifikuar dhe të pandëshkuar ndërsa një gazetar u sulmua fizikisht bashkë me bashkëshorten e tij për shkak se kishte raportuar mbi një çështje gjyqësore.

“Gazetarët u sulmua nga figurat politike,” vëren raporti. “Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës, iu referua një gazetareje investigative si “vrasëse me pagesë” në përgjigje të një artikulli në të cilin ajo kishte theksuar rolin që kryebashkiaku ka luajtur në projektin e incineratorit të Tiranës,” vëren raporti i Amnesty International duke iu referuar sulmeve të mediave proqeveritare kundër gazetares Ola Xama.

Raporti vëren si shqetësim të veçantë marrëveshjen kontroverse të arritur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe qeveria italiane e kryeministres Giorgia Meloni në lidhje me ndërtimin e dy bazave për izolimin e refugjatëve që Italia synon të kapë jashtë ujërave të saj territoriale dhe t’i sjellë në Shqipëri, teorikisht për procesimin e kërkesave të mundshme për azil.

Konsideruar gjerësisht si një goditje propagandistike që pritet t’i kushtojë taksapaguesve italianë qindramilionë euro për të arritur asgjë, plani ngre shqetësime serioze sa i përket dhunimit të të drejtave të azilkërkuesve, që po ndodh me ndihmën e qeverisë së një vendi që ka prodhuar azilkërkues me shumicë përgjatë tre dekadave të fundit.

“Organizatat e të drejtave të njeriut dhe të tjera kanë shprehur shqetësim në lidhje me impaktin që kjo marrëveshje mund të ketë mbi të drejtat e refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve, përfshirë faktin që ajo parashikon ndalim automatik të tyre”, vëren raporti. Raporti mund të gjendet i plotë në gjuhën angleze këtu: /BIRN/

Continue Reading

Aktualitet

Mbetën të bllokuar në det nga dallgët e larta, shpëtohen dy qytetarë në Shëngjin

Dy persona rrezikuan të mbyteshin teksa peshkonin në Shëngjin, për shkak të dallgëve të larta. Mësohet se dy personat me iniciale GJ. L 56 vjeç, dhe S. L., 43 vjeç mbetën të bllokuar si rezulatat i dallgëve të larta dhe menjëherë autoritetet me të marrë informacionin lokalizuan dhe u erdhën në ndihmë dy qytetarëve. Gjithashtu Policia thotë se dy personat janë në gjendje të mirë shëndetësore. Po ashtu janë tërhequr në hapësirën e portit edhe mjeti ujor me të cilin ata peshkonin.

Njoftimi i Policsë: 

Shëngjin, Lezhë.Shërbimet e Policisë Kufitare iu shkojnë në ndihmë 2 shtetasve, të cilët rrezikuan të mbyteshin teksa peshkonin, për shkak të dallgëve të larta. Sapo janë njoftuar se në hapësirën ujore ndërmjet Shëngjinit dhe Tales, për shkak të dallgëve të larta të detit, kishin mbetur të bllokuar, ndërkohë që peshkonin, 2 shtetas, shërbimet e SPK Shëngjin janë nisur për të ofruar ndihmë.

Si rezultat janë lokalizuar, marrë në mjetin lundrues të Policisë Kufitare dhe transportuar në portin e Shëngjinit, shtetasit Gj. L., 56 vjeç, dhe S. L., 43 vjeç, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, është tërhequr në hapësirën e portit, mjeti ujor me të cilin ata peshkonin. Dy shtetasit kanë falënderuar shërbimet e Policisë Kufitare për gatishmërinë dhe ndihmën e ofruar menjëherë. Policia e Shtetit apelon që në çdo rast nevoje të kontaktohet me strukturat e saj, sepse reagimi dhe ndihma do të jenë të menjëhershëm.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING