Connect with us

Aktualitet

Gjyqësori / 1,792 ankesa në një vit, vetëm 3 gjyqtarë në procedim – kush i kontrollon magjistratët?

Fokusi është te qytetari që pret për drejtësinë: dosje që zvarriten, vendime që vonohen dhe procese që konsumojnë vite.

Por ka një pyetje tjetër.

ÇFARË NDODH KUR QYTETARI ANKOHET PËR VETË GJYQTARIN?

Kush e kontrollon?

Kush heton?

Dhe sa shpesh një ankesë përfundon realisht në përgjegjësi disiplinore?

Shifrat më të fundit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë japin një panoramë që meriton vëmendje.

Gjatë vitit 2025, ILD kishte në trajtim gjithsej 3,272 ankesa, 1,792 prej të cilave të depozituara gjatë vetë vitit dhe 1,480 të mbartura nga më parë.

Në një vit u trajtuan 1,635 ankesa.

Nga këto:

1,211 u arkivuan pas shqyrtimit fillestar.

372 u arkivuan pas verifikimit.

Dhe 52 përfunduan me hetim disiplinor.

Pra mekanizmi merr mijëra ankesa.

Por vetëm një pjesë shumë e vogël kalon deri në fazën e hetimit disiplinor.

Dhe hendeku bëhet edhe më i dukshëm kur shihet rezultati përfundimtar.

Gjatë vitit 2025, ILD kërkoi fillimin e procedimit disiplinor për 8 magjistratë gjithsej.

Vetëm 3 prej tyre ishin gjyqtarë.

Pesë të tjerë ishin prokurorë.

1,792 ANKESA.

3 GJYQTARË TË DËRGUAR PËR PROCEDIM DISIPLINOR.

Këto dy shifra nuk provojnë se sistemi nuk funksionon.

Një ankesë nuk është automatikisht provë e një shkeljeje.

Por diferenca është aq e madhe sa kërkon shpjegim.

Vetë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, duke raportuar mbi veprimtarinë e vitit 2025, ka pranuar se numri i lartë i ankesave në raport me numrin e hetimeve disiplinore dhe procedimeve mund të përbëjë një element që meriton analizë.

Në të njëjtën kohë, ILD thekson se masa disiplinore nuk duhet të përdoret si ndëshkim automatik dhe se duhet respektuar proporcionaliteti.

POR PËR ÇFARË ANKOHEN QYTETARËT?

Edhe këtu shifrat janë domethënëse.

Nga 1,792 ankesat e depozituara gjatë vitit 2025:

462 ankesa – rreth 26% – pretendonin vendimmarrje të padrejtë.

255 ankesa lidhen me zvarritjen e gjykimeve.

159 me zvarritjen e hetimeve.

110 me vonesat në arsyetimin e vendimeve gjyqësore.

Por këtu duhet bërë një ndarje shumë e rëndësishme.

ILD NUK ËSHTË GJYKATË APELI.

Nëse një qytetar mendon se gjyqtari ka interpretuar gabim ligjin ose ka dhënë vendim të padrejtë, rruga normale është ankimi në një gjykatë më të lartë.

Fakti që një vendim ndryshohet ose rrëzohet nga Apeli nuk do të thotë automatikisht se gjyqtari i shkallës së parë ka kryer shkelje disiplinore.

Përgjegjësia disiplinore lind kur kemi sjellje apo veprime që plotësojnë kriteret ligjore të shkeljes: vonesa të rënda ose të përsëritura, mosveprim të pajustifikuar, shkelje serioze të rregullave, sjellje të papërshtatshme, cenim konfidencialiteti apo raste të tjera të parashikuara në ligj.

Dhe pikërisht këtu gjendet edhe vështirësia e sistemit.

KU MBARON PAVARËSIA E GJYQTARIT DHE KU FILLON PËRGJEGJËSIA E TIJ?

Një rast i vitit 2025 e tregon qartë këtë përplasje.

ILD kërkoi shkarkimin nga detyra të një gjyqtareje të Shkodrës pas një hetimi të nisur mbi bazën e 11 ankesave.

Inspektori konstatoi shkelje të afateve procedurale për arsyetimin e vendimeve dhe mosvënie në lëvizje të çështjeve për periudha që, sipas ILD-së, tejkalonin çdo logjikë.

KLGJ nuk pranoi shkarkimin.

Vendosi një masë më të butë:

pezullim nga detyra për 6 muaj.

Në një rast tjetër, ILD kërkoi “vërejtje publike” për një gjyqtare të Tiranës për mosrespektim të afatit të arsyeshëm të dorëzimit të vendimeve.

KLGJ e rrëzoi kërkesën.

Raporti i inspektimit tregonte se 89% e vendimeve të analizuara ishin dorëzuar brenda 120 ditëve, dhe Këshilli nuk e konsideroi të bazuar masën e kërkuar.

Pra edhe vetë institucionet që kontrollojnë drejtësinë nuk bien gjithmonë dakord se kur një problem bëhet shkelje disiplinore.

Dhe kjo shihet edhe në bilancin e vitit 2025.

Për tre gjyqtarët që ILD dërgoi në KLGJ:

– për një kërkohej ulje e përkohshme e pagës deri në 40%; procedura rezultonte ende në proces në raportin vjetor;
– për dy kërkohej “vërejtje publike”;
– një kërkesë u pranua;
– një u rrëzua.

Kjo na çon te pyetja që qytetari ka të drejtë të bëjë:

A ËSHTË SISTEMI I KONTROLLIT MJAFTUESHËM I FORTË?

Sepse pavarësia e gjyqtarit është themel i drejtësisë.

Asnjë gjyqtar nuk mund të kërcënohet me procedim vetëm sepse njëra palë humbi gjyqin.

Por pavarësia nuk mund të nënkuptojë mungesë përgjegjësie.

Nëse një dosje mbahet pa arsye;

nëse një vendim nuk arsyetohet për muaj;

nëse afatet shkelen vazhdimisht;

nëse qytetari denoncon sjellje që ligji e konsideron shkelje;

atëherë sistemi duhet të jetë në gjendje të japë jo vetëm një përgjigje, por edhe ta japë atë në kohë.

Në fund të vitit 2025, ILD kishte ende 1,637 ankesa në proces, të cilat u mbartën për vitin 2026.

Dhe këtu krijohet paradoksi:

Qytetari mund të presë vite për gjyqin.

Pastaj të presë edhe për ankesën ndaj mënyrës se si është administruar ai gjyq.

DREJTËSIA NUK MATET VETËM ME VENDIMET QË JEP.

Matet edhe me aftësinë për të kontrolluar veten.

Prandaj episodi i dytë i investigimit të NTV ngre një pyetje që sistemi duhet ta përgjigjet me shifra dhe rezultate:

KUSH I KONTROLLON GJYQTARËT – DHE ÇFARË NDODH KUR KONTROLLI KONSTATON SHKELJE?

Sepse një drejtësi e pavarur është jetike.

Por një drejtësi e pavarur dhe e përgjegjshme është ajo që qytetari ka nevojë.

 

Advertisement