Connect with us

Bota

LUFTA/ HAPET NGUSHTICA E HORMUZIT

Irani njoftoi hapjen e Ngushticës së Hormuzit për lundrim të lirë. Lajmin e dha në faqen e tij në rrjetin social ‘X’ Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike, i cili tha se hapja e ngushticës do të zgjasë sa armëpushimi në Liban, që përfundon më 26 prill.
“Në përputhje me armëpushimin në Liban, kalimi për të gjitha anijet tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit shpallet plotësisht i hapur për periudhën e mbetur të armëpushimit”, tha Abass Araghchi, Ministër i Jashtëm i Iranit.
Presidenti Donald Trump reagoi menjëherë pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit, duke falënderuar Iranin. Por Trump njoftoi se bllokada amerikane për anijet që duan të hyjnë dhe të dalin nga portet iraniane do të vijojë.

Bllokada detare do të mbetet plotësisht në fuqi dhe efekt vetëm sa i përket Iranit, deri në momentin kur marrëveshja jonë me Iranin të jetë 100% e përfunduar. Ky proces pritet të përfundojë shumë shpejt, pasi shumica e pikave janë tashmë të negociuara”, tha Trump.

Presidenti i SHBA foli për procesin e negociatave dhe për pikat që janë dakordësuar deri më tani me Teheranin zyrtar. Sipas tij, Republika Islamike ka pranuar të mos e mbyllë më kurrë Hormuzin. Sipas asaj që shkroi në Truth Presidenti amerikan, Irani rezulton të ketë pranuar edhe dorëzimin e uraniumit të pasuruar që disponon.
“Irani ka pranuar të mos e mbyllë më kurrë Ngushticën e Hormuzit dhe nuk do ta përdorë atë si një armë ndaj botës. Do ta marrim uraniumin e Iranit me avionët tanë B2”, deklaroi Trump.
Por, sipas mediave iraniane, nuk është e vërtetë që Teherani ka pranuar t’u dorëzojë SHBA-ve uraniumin e tij, siç pretendon Trump. “Deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me një marrëveshje për uraniumin e pasuruar të Teheranit janë ‘plotësisht të pavërteta'”, ka deklaruar një burim iranian për median e Katarit Al-Araby Al-Jadeed.
Në vazhdën e reagimeve që postoi pas hapjes së Ngushticës së Hormuzit, Trump bëri të ditur nisjen e një procesi më vete për paqe për konfliktin e Izraelit me Hezbollahun në Liban.
“Dakordësia me Iranin nuk lidhet me Libanin. Izraeli e ka të ndaluar nga SHBA të bombardojë Libanin. SHBA do të punojë veçmas për situatën me Hezbollahun në mënyrën e duhur. Izraeli nuk do ta bombardojë më Libanin. Ata e kanë të ndaluar ta bëjnë këtë nga SHBA. Mjaft është mjaft”, tha Trump.
Ditët e ardhshme pritet që SHBA dhe Irani të zhvillojnë një takim të ri për negociatat e paqes. Reuters raportoi këtë të premte se palët do të firmosin një memorandum që do të pasohet nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse brenda 60 ditësh.
Britania e Madhe dhe Franca do të udhëheqin një mision ndërkombëtar për të garantuar lundrimin e lirë në Ngushticën e Hormuzit. Vendimi u bë i ditur pas samitit të sigurisë detare që u mbajt në Paris.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thuhet se u “habit dhe u alarmua” nga postimi i Presidentit të SHBA-së Donald Trump në rrjetet sociale, i cili pretendonte se ai i kishte ndaluar Izraelit të bombardonte Libanin. Lajmin e raportoi Axios duke cituar dy burime, njëri prej të cilëve amerikan. Izraeli thuhet gjithashtu se i ka kërkuar Shtëpisë së Bardhë një shpjegim për deklaratën e Trump.

Nënkryetari i komunikimit për Zyrën e Presidentit iranian, Seyyed Mehdi Tabatabaei, ka deklaruar se Presidenti amerikan Donald Trump, përmes retorikës së tij, po përpiqet që t’i grabisë krenarinë kombit iranian.

Sipas burimeve iraniane, nuk është e vërtetë që Teherani ka rënë dakord t’ia shesë uraniumin e tij SHBA-së, siç pretendon Trump.

Deklaratat e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në lidhje me një marrëveshje mbi uraniumin e pasuruar të Teheranit janë “krejtësisht të rreme”

Donald Trump ka dalë me një tjetër reagim në rrjetet sociale, ku këtë herë ndalet te situata në Liban dhe roli i SHBA-ve.

“Izraeli nuk do ta bombardojë më Libanin. I është NDALUAR nga SHBA. Mjaft më!!!”, thotë ai.

Në të njëjtin reagim, ai preku edhe çështjen e Iranit, duke thënë se SHBA do të marrë “të gjithë pluhurin bërthamor”, duke iu referuar mbetjeve nga sulmet ndaj objekteve bërthamore.

Trump thekson gjithashtu se nuk do të ketë shkëmbim parash: “Asnjë para nuk do të shkëmbehet në asnjë mënyrë”.

Ai shton se SHBA do të punojë veçmas me Libanin për situatën e Hezbollahut, duke lënë të kuptohet se marrëveshja nuk varet nga vetë Libani.

Donald Trump i është rikthyer sulmeve ndaj NATO-s, duke e përshkruar Aleancën si një ‘tigër letre’ e duke i kërkuar të qëndrojë larg Hormuzit.

“Tani që situata në Ngushticën e Hormuzit është zgjidhur, mora një telefonatë nga NATO ku më pyetën nëse kishim nevojë për ndihmë. U thashë të qëndrojnë jashtë , përveç nëse duan thjesht të mbushin anijet e tyre me naftë. Kanë qenë të padobishëm në momentin e nevojës: një tigër prej letre.” tha sot Donald Trump në një postim në rrjetin Truth Social.

Advertisement