Connect with us

Politike

Integrimi në BE, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miraton raportin e vitit 2025 për Shqipërinë! Theksohet nevoja për reforma më të thella

Komiteti për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) ka vlerësuar përkushtimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se zbatimi i reformave të miratuara mbetet kyç për ecurinë e mëtejshme.
Në një raport të miratuar me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenime, eurodeputetët mirëpresin progresin e shpejtë të Shqipërisë në vitet e fundit dhe angazhimin e saj të fortë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, raporti nënvizon se vendi vijon të përballet me sfida të rëndësishme, si tejkalimi i polarizimit politik, përmirësimi i kulturës politike, forcimi i shtetit të së drejtës dhe konsolidimi i reformave kundër korrupsionit.
Eurodeputetët marrin në konsideratë objektivin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, por theksojnë se ritmi i këtij procesi do të varet nga cilësia dhe zbatimi i reformave.
Raporti vlerëson vazhdimin e reformës në drejtësi, por thekson se sistemi gjyqësor përballet ende me presione politike dhe kërcënime që mund të cenojnë pavarësinë e tij.
Ndërkohë, korrupsioni mbetet një shqetësim serioz. Eurodeputetët kërkojnë forcimin e rezultateve konkrete në hetime, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta.
Gjithashtu, theksohet nevoja për luftë më efektive kundër krimit të organizuar, përfshirë pastrimin e parave dhe trafikun e drogës.
Raporti bën thirrje për përpjekje të mëtejshme në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik, si dhe për avancim në reformën e administratës publike, me fokus në rekrutimin mbi bazë merite dhe depolitizimin e shërbimit civil.
Ndërsa mirëpritet angazhimi i Shqipërisë në zbatimin e planit të rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, raporti evidenton dobësi strukturore të vazhdueshme, përfshirë klimën sfiduese të biznesit.
Po ashtu, nënvizohet rëndësia e dialogut social për të siguruar që përfitimet e procesit të zgjerimit të përfshijnë të gjitha shtresat e shoqërisë.
Eurodeputetët vlerësojnë gjithashtu përputhjen e plotë të Shqipërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, si dhe rolin e saj konstruktiv në stabilitetin rajonal.
Raporti pritet të hidhet për votim në një nga seancat plenare të ardhshme të Parlamentit Evropian.
Raportuesi Andreas Schieder u shpreh se Shqipëria është ndër vendet më të avancuara në procesin e anëtarësimit në BE.
Sipas tij, objektivi për përfundimin e negociatave deri në vitin 2027 është realist, por kërkon jo vetëm përmbushjen e kritereve ligjore dhe ekonomike, por edhe ndërtimin e një sistemi social funksional që garanton të drejtat e punëtorëve dhe rolin e sindikatave.
Ai theksoi se vetëm në këtë mënyrë Shqipëria mund të jetë plotësisht e gatshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Advertisement