✦
Thinking ...
Connect with us

Bota

Irani vendos kushtet për marrëveshjen me SHBA-në: Garanci ose lufta mund të rifillojë

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se Teherani nuk do të pranojë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara vetëm për të ulur tensionet e momentit. Sipas tij, çdo marrëveshje duhet të përmbajë garanci konkrete se një konflikt i ri nuk do të shpërthejë në të ardhmen.

Në një intervistë për gazetën shtetërore iraniane “Iran”, Araghchi theksoi se Teherani kërkon një zgjidhje afatgjatë dhe jo një armëpushim të përkohshëm që mund të shkelet pas disa javësh. Ai iu referua përvojës së marrëveshjes së armëpushimit të qershorit, pas së cilës, sipas tij, armiqësitë rifilluan vetëm 15 ditë më vonë.

“Çfarë kuptimi ka arritja e një marrëveshjeje sot, nëse ajo shkelet dy muaj më vonë dhe lufta rifillon?”, u shpreh kryediplomati iranian.

Një tjetër pikë e vështirë në negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit mbetet programi bërthamor. Araghchi bëri të qartë se Irani nuk ka ndërmend të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar që ndodhen në territorin e tij, duke e cilësuar këtë çështje si një vijë të kuqe për palën iraniane.

Ai bëri të ditur se ndërmjetësit kanë paraqitur disa propozime për zgjidhjen e çështjes së uraniumit, por theksoi se ajo nuk mund të trajtohet e shkëputur nga kërkesat e tjera në tryezën e negociatave.

Pavarësisht dallimeve, ministri iranian la të hapur mundësinë e një marrëveshjeje diplomatike. Sipas tij, ekziston hapësirë për një zgjidhje të drejtë, nëse merren parasysh shqetësimet dhe qëndrimet e Teheranit.

Propozimet e ndërmjetësve pritet të shqyrtohen nga komiteti negociues i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, përpara se ky institucion të marrë vendimin përfundimtar.

Deklaratat e Araghchi-t tregojnë se negociatat me SHBA-në përballen me dy pengesa kryesore: kërkesën e Iranit për garanci sigurie afatgjata dhe refuzimin për të hequr dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar.

Advertisement