Kosova
Ish-diplomati serb flet për një marrëveshje sekrete për njohjen e Kosovës nga Serbia
Ish-diplomati serb, Nebojsha Vujoviç, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është i gatshëm ta njohë Kosovën si shtet, me qëllim që të qëndrojë në pushtet dhe të shmangë sanksionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke komentuar vizitën e fundit të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, në Uashington, Vujoviç potencoi se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e kishte informuar atë për një marrëveshje të fshehtë që, sipas tij, lidhet me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas Vujoviçit, qëllimi kryesor i ftesës së Gjuriçit në Uashington ka qenë pikërisht informimi për një marrëveshje “sekrete dhe detyruese” për njohjen e Kosovës. Ai pretendon se Serbia po i afrohet çdo ditë e më shumë formalizimit të njohjes së Kosovës si shtet të pavarur.
Në intervistën për agjencinë e lajmeve serbe Beta, ai gjithashtu ka deklaruar se, nëse do të nënshkruhej një marrëveshje e tillë, presidenti amerikan Donald Trump do të siguronte një sukses të madh politik, ndërsa njëkohësisht do të dërgonte, sipas tij, një mesazh ndaj Bashkimit Evropian dhe Rusisë.
Një ditë më parë, Gjuriç kishte njoftuar se është takuar me Rubion në Uashington, duke deklaruar në rrjetin social X se Serbia dhe SHBA po punojnë që viti 2026 të jetë një vit i rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe.