Connect with us

Politike

Konsullata serbe në Shkodër/ Pandeli Majko ‘shuplakë’ Ferit Hoxhës: Ka marrë më shumë…

Diskutimet për hapjen e një konsullate serbe në Shkodër kanë sjellë reagime dhe përplasje mes palëve politike në vend.

Ish-kryeministri, Pandeli Majko ka dalë kundër idesë së vendosjes së një përfaqësie diplomatike serbe në qytetin verior, ndërsa ka replikuar edhe Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Ky i fundit në një reagim në rrjete sociale, shkruante se interesi kryesor i Shqipërisë mbetet hapja e një Konsullate të Përgjithshme shqiptare në Luginën e Preshevës. Sipas tij, Shqipëria ka kërkuar prej kohësh krijimin e një përfaqësie të përhershme konsullore në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia ka paraqitur kërkesën e saj për hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Shkodër, duke nënkuptuar një reciprocitet.

“Synimi dhe interesi i Shqipërisë është të krijojë më në fund një prani konsullore të përhershme në Luginën e Preshevës, një zhvillim i vonuar, në një hapësirë ku jeton një komunitet i rëndësishëm shqiptar. Kjo do të krijojë mundësi më të mira për të qenë më pranë qytetarëve shqiptarë atje, për t’i mbështetur ata në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e interesave të tyre legjitime”- shkruan Hoxha ndër të tjera.

Ndërkohë, në përgjigje Pandeli Majko, i thotë Hoxhës se Shkodra nuk krahasohet me Luginën e Preshevës, ndërsa shton se, për Shqipërinë, sipas tij, konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standart.

“Në Shkodër konsullata serbe do të ketë më rëndësi se a vetë minoriteti! Kundrejt hapjes së kosullatës serbe në Shkodër do të hapet konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës! Krahasimi është më shumë se një ironi…! Lugina e Preshevës është një vazhdimësi teritoriale e banuar nga shqiptarët e mbetur në sovranitetin e Serbisë! Konsullata në Luginën e Preshevës “shmang” Kosovën! Në Shkodër, konsullata serbe ka Malin e Zi në mes! Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standart! Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër! Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë”,- shkruan Majko.

Advertisement