Aktualitet
Krimi me dy shifra në Shqipëri, 38 mijë vepra penale në një vit rritje e fortë e kriminalitetit
Numri i veprave penale në Shqipëri ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave (Instat), gjatë vitit 2025 janë evidentuar gjithsej 38 mijë e 345 vepra penale, një rritje prej 17.4 për qind krahasuar me vitin 2024.
Rritja nuk kufizohet vetëm te numri i rasteve, por shtrihet edhe te autorët e dyshuar. Në total, janë regjistruar 45 mijë e 334 autorë të dyshuar, 13.2 për qind më shumë se një vit më parë. Pjesa dërrmuese e tyre janë meshkuj (93.3 për qind), ndërsa grup-mosha më e përfaqësuar mbetet ajo 30-44 vjeç.
Edhe numri i procedimeve penale ka ndjekur të njëjtin trend në rritje. Në vitin 2025 janë regjistruar 27 mijë e 49 procedime penale, një rritje prej 8.5 për qind krahasuar me vitin paraardhës.
Megjithatë, të dhënat tregojnë një ndarje të konsiderueshme në mënyrën e përfundimit të tyre: vetëm 42.5 për qind e çështjeve përfundojnë në gjykatë, ndërsa pjesa tjetër ose pushohen (27.6 për qind) ose pezullohen (27.8 për qind).
Nga ana tjetër, numri i personave të dëmtuar ka arritur në 19 mijë e 145, me një rritje prej 7.8 për qind.
Rreth 39.3 për qind e tyre janë viktima të krimeve kundër personit, ndërsa gratë përbëjnë mbi një të tretën e viktimave në këtë kategori, kryesisht në krime që lidhen me moralin, dinjitetin dhe familjen.
Një tjetër tregues i rëndësishëm lidhet me strukturën e krimeve. Sipas grafikëve të publikuar në raport, rritjen më të lartë e shënojnë krimet me dashje kundër shëndetit (+27.4 për qind), krimet në fushën e drogës (+26.6 për qind) dhe trafikimi i armëve (+26.1 për qind). Ndërkohë, disa kategori si vjedhjet me dhunë dhe krimet kibernetike kanë shënuar rënie.
Sa i përket sistemit penitenciar, numri i të burgosurve ka mbetur relativisht i qëndrueshëm, me 4 mijë e 503 persona në vitin 2025, vetëm 0.3 për qind më shumë se një vit më parë. Edhe këtu dominojnë meshkujt, që përbëjnë 98.4 për qind të totalit.